Shërbyen në pikat kufitare, vetizolohen disa policë të Kosovës
Sikur shumica e vendeve të botës edhe Kosova po përballet me pandeminë globale nga COVID-19 dhe institucionet e shëndetësisë e sigurisë po bëjnë çmos që të menaxhojnë më situatën dhe të parandalojnë përhapjen më të madhe të koronavirusit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë 165 persona të infektuar me COVID-19, ndërsa nga numri i përgjithshëm janë shëruar 24, kurse fatkeqësisht tre nuk kanë mundur të mbijetojnë.
E nga kjo pandemi po rrezikohet edhe personeli shëndetësor dhe ai i sigurisë. Vetëm nga Klinika Infektive, janë prekur disa infermiere e mjekë me Covid19.
Në fakt në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit janë mjekët dhe infermierët, por në këtë luftë një rol të pazëvendësueshëm po e luajnë edhe institucionet e sigurisë, respektivisht punonjësit e Policisë së Kosovës.
Policët janë duke punuar 12 orë në ditë, në mënyrë që të respektohet vendimi për kufizim të lëvizjes, si dhe të gjitha dispozitat e tjera shëndetësore.
Zbatimi i gjithë këtyre masave ka bërë që pjesëtarët e policisë, të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke i udhëzuar, këshilluar apo ndërmarrë masa administrative në rastet e shkeljeve.
Po sa i rrezikuar është ky komunitet nga koronavirusi?
Nga zyra për informim e Policisë së Kosovës pohojnë se policët po vazhdojnë punën me orar të zakonshëm dhe sipas nevojës edhe me orar të zgjatur.
E për shkak të disa problemeve me shëndetin një numër i pjesëtarëve këtyre ditëve janë liruar nga puna dhe një pjesë tjetër po punojnë nga shtëpia përmes pajisjeve elektronike.
“Policia e Kosovës, po vazhdon punën e saj me orare të zakonshme dhe sipas nevojës dhe planifikimeve me orar te zgjatur me qellim të realizimit te detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore si dhe zbatimin e vendimeve te Qeverise së RKS-së. Një numër i zyrtarëve policor të cilët kanë sëmundje të renda dhe një pjesë e stafit civil janë liruar, përderisa një pjesë e tyre sipas nevojës kryejnë detyra administrative përmes pajisjeve elektronike”, thuhet në përgjigjen e policisë dhënë për FaktePlus.
Kurse për shkak të kontakteve me njerëz të infektuar me koronavirus, disa zyrtarë policorë janë detyruar të vetizolohen. Në fakt numri i saktë nuk tregohet, por në vetizolim janë dërguar policët që kanë shërbyer nëpër pikat kufitare.
“Deri më tani janë disa zyrtarë që janë sugjeruar për vetë izolimi dhe izolimi të detyruar që ka rrjedhë me rekomandim të Ekipeve Mjekësore nëpër pikat kufitare, (pas ardhjes së tyre nga vende të ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerikë, Gjermani etj.). Çdonjëri prej tyre ka udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore në pikat Hyrëse te Kosovës”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë.
Tutje tregohet se pjesëtarët që janë në vetizolim, janë duke u kontrolluar rregullisht nga ekipet mjekësore dhe gjendja e tyre është e mirë.
Ndërkaq përkundër që janë në vijën e parë të frontit të infektuar me koronavirus deri më tani janë vetëm 2 policë të Kosovës.
Zyra për informim e Policisë ka treguar se rastet nuk kanë qenë në kontakt me pjesëtarët e tjerë të policisë.
“Deri më tani janë dy raste që zyrtarët e policisë kanë rezultuar pozitiv me virus, një rast në Malishevë dhe tjetri në rajonin e Prishtinës. Rasti i parë në Malishevë ka qenë i liruar nga puna, në pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor, ndërsa rasti i dytë ka qenë në vizitë studimore në Londër, dhe falë syçëltësisë dhe komunikimit me DSHSH-në, menjëherë është vendosur në karantinë duke mos rrezikuar aspak të tjerët”, kanë treguar nga Policia.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar dje edhe me zyrtarë nga Ministria e Mbrojtës, të cilët kanë treguar se a ka ndonjë ushtar apo punonjës të kësaj ministrie me koronavirus.
Ibrahim Shala, zëdhënës në këtë ministri ka pohuar se nuk ka asnjë ushtar të infektuar.
A ka ushtarë të Kosovës që janë infektuar me koronavirus?- flasin nga Ministria e Mbrojtjes
Ai thotë se ky rezultat vjen pasi janë respektuar në përpikëri udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes.
“Deri më tani as FSK dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë ndonjë të dyshuar me infektim nga Koronavirusi. E gjithë kjo është rezultat i respektimit të udhëzimeve për parandalimin e përhapjes së virusit të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK për personelin i cili është i angazhuar si brenda ashtu edhe jashtë kazermave të FSK-së”, ka thënë Shala.
Institucionet e vendit po vazhdojnë që të bëjnë thirrje për gjithë qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin pa nevojë.
Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 165 raste me koronavirus. Me viktimat e djeshme ka shkuar në 3 numri i vdekjeve nga koronavirusi, kurse prej të infektuarve deri tani janë shënuar 24 persona dhe në rrugë drejt shërimit janë edhe disa të tjerë./FaktePlus