Shëndeti mendor të policëve kosovarë, flet psikologu
Numri i policëve të liruar nga arma zyrtare për arsye të problemeve shëndetësore të natyrës psikologjike, është gjithsejtë 20. Nga ky numër 4 zyrtarë gjenden në pushim mjekësor të kategorizuar si raste të veçanta shëndetësore.
Pavarësisht se në procedurat aktuale të PK-së nuk kryhen testime psikologjike për zyrtarët policorë, psikologët e Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore, kanë realizuar gjithsej 155 seanca psikologjike për 68 zyrtarë gjatë vitit 2019.
Njëri nga psikologët në Policinë e Kosovës, që ka trajtuar këto raste, Arton Ademi, thotë se ligji i Invaliditetit në punë apo edhe pensionimi i parakohshëm i policëve do të ishte një lehtësim në raste të tilla për policët me probleme psikologjike.
“Nuk është një numër shumë i madh, karshi vështirësive me të cilat pjesëtarët e policisë ballafaqohen. Sikur të kish pas invaliditet, ligji i Invaliditetit në punë apo pensionimi i parakohshëm, normalisht që neve na kish ndihmua si institucion. Kish me qenë një formë lehtësuese sepse kish me ndihmua shumë në ruajtjen e institucionit të policisë, ruajtjen e shëndeti emocional dhe psikologjik të pjesëtarit të policisë”, tha Ademi për EO.
Sipas psikologut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës paragjykohen e stigmatizohen në raste kur ata bëjnë kontrolle te psikologu. Për këtë ai edhe bën thirrje të gjithë qytetarëve, që mos të bëjnë etiketime të tilla për policët, pasi gjendja e tyre psikike ka ardhur si pasojë e punës.
Ademi thotë se publiku nuk duhet të bëhet gjykatës, nëse një polic merr trajtim nga psikologu.
“Po të merret një trajtim prej psikologut secili ka me qenë i paragjykuar ose ka me ndier vetën që është i stigmatizuar. Normalisht, që po të thuhet se pjesëtarët e policisë që kanë probleme të gjendjes emocionale psikologjike që munden me manifestu në aftësinë e tyre të punës, atëherë publiku fatkeqësisht bëhet gjykatës, bëhet ekzekutor, bëhet çdo gjë duke etiketua një pjesëtarë të policisë.”
“Harrojnë faktin se secili pjesëtar i policisë është fillimisht njeri,pastaj ka një profesion të caktuar. Edhe normalisht që gjendja e tij ka ardhur si pasojë e punës, jo si pasojë e gjërave të tjera që kanë mundur të manifestohen. Kisha kërkua prej publikut në këtë rast mos të etiketojnë shumë pjesëtarët e policisë. Mos t’i stigmatizojnë se jemi pjesë e shoqërisë, të paktën atë që ne po mundohemi me bë është me ju ofrua një përkrahje një parandalim për dukuritë e ndryshme negative që pjesëtarët e policisë ballafaqohen çdo ditë”, u shpreh Ademi.
Pa dashur të tregojë statistika, Ademi thotë se ka policë që kanë vështirësi në sjellje e kanë probleme me stres, mirëpo, varësisht nga rastet mbajnë seanca psikologjike.
“Kemi një numër që kanë vështirësi në aspektin e sjelljeve, strese, të gjendjes së tyre emocionale që ballafaqohen qoftë me detyra ditore apo tjera që ata kanë edhe jashtë jetës zyrtare, apo thënë ndryshe, jetës familjare. Kemi një numër të tyre në vazhdimësi që i përcjellim, varësisht prej nevojave dhe rastit, atëherë ne ndërmarrim masa me mbajtje të seancave psikologjike. Në rast se ka nevojë për ndërhyrje me terapi është profesionist i fushës së caktuar që e jep terapi, këtë rast psikiatri dhe mandej përcillet gjendja emocionale e atij pjesëtari dhe merren masat e nevojave të institucionit karshi nevojave të pjesëtarit”, theksoi ai.
Sipas psikologut, nëse një pjesëtar i PK-së, vërtetohet se nuk mund të kryejë punë me pajisje profesionale, atëherë ai mund të sistemohet në ndonjë punë administrative.
“Jemi në vazhdimësi në përkrahje të pjesëtarëve të policisë, që ti tejkalojnë vështirësitë me të cilat ata ballafaqohen. Në rast se një pjesëtar i policisë lirohet prej pajisjeve profesionale dhe nuk ka aftësi me kryer detyrën e pjesëtarit të policisë me uniformë apo pajisje profesionale policore, nuk do të thotë që i njëjti nuk është në gjendje me kry detyrat tjerat administrative. Përderisa nuk mund ta kryejnë një punë me pajisje profesionale, mund ta kryejnë një punë tjera administrative”, tha Ademi.
Duke u nisur nga rasti i fundit ku ish-pjesëtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca vrau prindërit, vëllezërit e pastaj edhe vetën me armë zyrtare, Ademi nuk e mohon faktin që pjesëtarët e policisë me probleme psikike mund të paraqesin rrezikshmëri.
“Nuk mund ta mohojmë faktin që normalisht që është rrezikshmëri shumë e lartë që mundet me paraqit secili individ, por kjo gjë ka mundur me ardh prej secilit qytetar të Kosovës që mundet me bë një gjë të tillë, kemi rastin në Prizren ku dyshohet që djali ka ekzekutua prindërit e tij, kështu ajo çka mbetët pjesë e policisë është që pajisjet e veta zyrtare policore t’i rekomandojë për me u lirua. Pjesën tjetër është e pamundshme që të mbikëqyret secili individ se çka mund të bëjë në jetën e tij private. Ai sigurisht që ka mundësi që edhe armët jashtë policisë ka mundur me krye një gjë të tillë”, tha Ademi.
Ai tregoi se në Policinë e Kosovës, janë dy psikologë të cilët merren vetëm me gjendjen e policëve, të cilëvë u kryhen ekzaminime të ndryshme psikologjike.
“Jemi dy psikologë, vetëm njësitë e specializuar kanë kontrolle periodike çdo vit, ndërsa pjesa tjetër varësisht nga gjendja shëndetësore që ata munden me manifestua edhe kur janë në detyra edhe kryhen ekzaminime të ndryshme qoftë psikologjik prej psikologut të policisë apo edhe prej shërbimeve të mëtutjeshme më të specializuar te klinika e kontraktuar apo te QKUK. Me ligje të shëndetit mendor parashihet që për 15 mijë qytetarë të jetë një psikolog, atëherë konsideroj që për 10 mijë pjesëtarë jemi dy psikolog besoj që jemi të mjaftueshëm”, shtoi ai.
Pas kërkesës së Ekonomia Online, Policia e Kosovës, ditë më parë bëri të ditur se numri i zyrtarëve policorë me probleme më të rënda shëndetësore është rreth 120, përfshirë personelin e uniformuar dhe atë civil, numër ky i cili mund të variojë, të kategorizuara si raste të veçanta shëndetësore, për shkak të natyrës së rëndë të sëmundjes.