Shëndetësia në Maqedoni, më shumë fonde për programet parandaluese
Vendit i mungon një sistem më i fortë për parandalimin e sëmundjeve. Nga viti në vit shkurtohen paratë nga programet. Fondet janë ndarë për skriningun e kancerit të qafës së mitrës, i cili mezi mbulon 25% të grave.
Përfshirja me programin e skriningut të kancerit të gjirit është rreth 1 për qind dhe çdo vit në vendin tonë vdesin nga e njëjta sëmundje mbi 300 gra.
Për tre vite janë shkurtuar 400 milionë denarë nga buxheti për parandalimin e sëmundjeve. Organizatat joqeveritare kërkojnë për 10 programe më shumë fonde.
Shtatë vitet e fundit gjithnjë e më pak po financohet parandalimi edhe për epideminë e HIV-it. Para një dekade, 40% e parave në programin kombëtar ishin të destinuara për mjekim, këtë vit 80% dhe 20% për parandalim.
“Rreth 30 për qind nga numri i përgjithshëm i personave që janë infektuar me HIV nuk janë të diagnostikuar në vend. Kjo përqindje në nivel global është ulur në vetëm 14 për qind të personave jo të diagnostikuar, që d.m.th. se potenciali për infeksione të reja në nivel global në mënyrë drastike është ulur, që nuk është rast tek ne”, deklaroi Andrej Senih nga Organizata Qytetare “Bashkë më të fuqishëm”.
Të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, autoritetet do të kërkojnë një zgjidhje.
“Paqja dhe prosperiteti nuk mund të arrihen pa realizimin e përfshirjes universale shëndetësore”, theksoi Akim Ali nga OBSh-ja në vend.
“Disa shërbime duhen gjatë gjithë jetës, p.sh. shërbimet për këshilla për mbrojtje nga HIV-i, nga sëmundjet ngjitëse seksuale, nga përdorimi i kontracepsionit deri tek shërbimet, që janë specifike në kategori të caktuara të moshave”, u shpreh Afrodita Shala nga UNFPA në vend.
Shifrat e Bankës Botërore dhe OBSh-së tregojnë se programet parandaluese nuk duhet të ndërpriten. Në vend janë duke u trajtuar rreth 120 mijë pacientë me diabet, por llogaritet se 120 mijë qytetarë jetojnë me diabet pa e ditur.