“Shëndetësia” daneze: Nënvarianti i Omicronit duket më ngjitës, por jo më i ashpër
Nënvarianti i Omicron, i njohur si BA.2, duket më ngjitës se varianti fillestar, por jo më i rëndë.
Kështu është shprehur ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke në një intervistë.
“Nuk ka prova që varianti BA.2 është më i rëndë, por duhet të jetë më ngjitës”, tha Heunicke në një konferencë për gazetarë.
Në nivel global, nënvarianti fillestar i Omicron, BA.1, përbën 98 për qind të të gjitha rasteve me Omicron, por në Danimarkë mbizotëron nënvarianti BA.2, që e zuri vendin e parë në javën e dytë të janarit, shkruan Reuters. Autoriteti më i lartë për sëmundje ngjitëse në Danimarkë, Instituti “Statens Serum”, tha të mërkurën se, sipas vlerësimeve fillestare, nënvarianti BA.2 mund të jetë 1.5 herë më ngjitës se nënvarianti BA.1 i Omicronit.
Megjithatë, analiza fillestare e këtij instituti nuk shfaqi ndonjë dallim sa i përket rrezikut për hospitalizim nga nënvarianti BA.2 në krahasim me nënvariantin BA.1.
“Janë disa shenja që ai është më ngjitës, sidomos për personat që nuk janë vaksinuar, por ai gjithashtu mund t’i prekë njerëzit e vaksinuar në shkallë më të lartë”, tha Tyra Grove Krause, drejtoreshë teknike në institutin e sëmundjeve ngjitëse.
Nënvarianti Omicron është varianti më i ri që është përhapur tashmë në disa vende të botës. Varianti Omicron i njohur zyrtarisht si varianti B.1.1.529, ka 3 nënvariante kryesore: BA.1, BA.2 dhe BA.3. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 99% e rasteve të identifikuara deri në dhjetor ishin BA.1. Megjithatë, nënvarianti BA.2, që është pikërisht “Stealth Omicron”, kohët e fundit ka filluar të fitojë terren. Sipas studiuesve, “Stealth Omicron” ose BA.2 ka disa mutacione të zakonshme por edhe shumë të ndryshme në krahasim me BA.1.
Në fakt, ndryshimet midis BA.1 dhe BA.2 janë më të mëdha se ato midis variantit origjinal Omicron dhe variantit Alfa. Kjo ka shkaktuar shqetësime në komunitetin shkencor, pasi dallime të tilla molekulare mund të ndryshojnë rrjedhën e studimeve për sa i përket zbulimit, infektivitetit, ashpërsisë së sëmundjes ose efikasitetit të vaksinës.
Pse quhet varianti “Stealth” dhe cila është lidhja e tij me Delta?
Omicron 2 ose “Stealth” zbulohet nga testet standarde diagnostikuese, siç është Omicron. Megjithatë, “Stealth” nuk ka një mutacione të ngjashme me Omicron dhe kjo shihet si një shenjë për ta dalluar atë nga varianti Delta. Kjo rezulton në një numër diagnozash që i atribuohen Delta. Të dhënat sugjerojnë se “Stealth” është më ngjitës se BA.1. Në mënyrë të ngjashme në Danimarkë BA.2 përbënte 20% të të gjitha rasteve gjatë javëve të fundit në 2021, nga 45% në javën e dytë të 2022.