Shefja e OBSH-së për Kosovën: Shteti duhet t’i monitoroj rastet me Covid-19 në Postë dhe KEK
Rreziku nga Covid-19 ende nuk ka kaluar. Kështu po deklaron shefja e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli. Ajo ka shprehur shqetësimet e saja sa i përket disiplinës së qytetarëve për t’i respektuar masat e vendosura nga Instituti Kombëtar për mbrojtje nga Covid-19.
Sipas saj, ka përkeqësim të situatës në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë Veriore, si dhe siç tha ajo nuk përjashtohet edhe Serbia.
Humolli theksoi se lirimi i masave nga shteti është bërë gradualisht, mirëpo kujdesi i qytetarëve nuk është në nivelin e dëshirueshëm
“Rritja e numrit të rasteve me Covid-19 është e lidhur ngushtë me largimin e masave që i kemi pasur e që kanë pasur të bëjnë me parandalimin e rasteve. Ajo çka po shihet ditëve të fundit është që popullata nuk po është e vëmendshme për mbajtjen e maskave dhe distancimin social”, ka thënë Humolli.
Tutje ajo ka deklaruar se rastet e deritanishme me Covid-19, kanë qenë të pritshme për Kosovën.
Por Humolli, ka deklaruar se në Kosovë është shqetësues pranimi i Covid 19 në kompanitë e mëdha siç janë Posta e Kosovës e KEK-u.
“Ajo çka është më shqetësuese në Kosovë është prania e virusit në kompanitë e mëdha siç është KEK-u e Posta. Pasi që janë kompani që kanë numër të madh të punëtorëve dhe mundësia e përhapjes është më e madhe”, sqaroi ajo për Express.
“Deri më tash gjithçka ka shku ashtu se siç është paraparë. Tash kërkohet një përgjithësi më e lartë e qytetarëve. Kërkohet distancimi fizik. Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk është duke u bërë. Nëpër rrugë ka qytetarë që nuk kanë maska”, ka deklaruar ajo.
Por, Humolli theksoi se nëse qytetarët nuk i përfillin rekomandimet e IKSHPK-së për distancim social e vënie të maskave, atëherë masat mund të ndryshojnë.
“Vendimet merren në varësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike. Qytetarët duhet të mendojnë mirë dhe t’i përgjigjen pozitivisht kërkesën për mbajtjes së maskave. Nëse maska nuk mund të durohet, një shall mund të gjendet që të mbulohet fytyra” sqaroi ajo.