Shefi i Policisë përsëri e mban “sekret” vilen, tregon se ka blerë tokë, shtëpi e veturë
Shefi i Policisë, Rashit Qalaj, vitin 2019 duket se e ka pasur mjaft të mirë në aspektin financiar. Ai shihet se brenda një viti ka blerë oborr, ka ndërtuar shtëpi e ka blerë veturë të re. Por, për Vilen që e ka ndërtuar në Brezovicë nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është njëri prej personave që e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Anti-Korrupsion.
Në të dhënat e publikuara shihet se Qalaj brenda vitit 2019 ka pasur një shtim të pasurisë.
Shefi i Policisë së Kosovës ka deklaruar se në vitin e kaluar ka blerë oborr, ka filluar të ndërtojë një shtëpi dhe ka blerë veturë të re.
Sipas deklarimit në AKK, vlera e oborrit të blerë ka vlerën e 15 mijë eurove. Kurse ndërtimi i shtëpisë është paraparë të kushtoj 31 mijë e 500 euro.
Kurse për veturën, Qalaj ka treguar se e ka bërë një ndërrim me veturën që e ka pasur deri më tani. E për të blerë të re i ka shtuar edhe 7 mijë e 500 euro.
“Veturë e blerë (e kam ndërruar me 2019 , 12,500.00 euro. Veturën e vjetër vlerësuar 5000 euro dhe i kam shtuar vlerë monetare 7500 euro)”, shkruan në deklarimin e pasurisë.
Mirëpo, Rashit Qalaj në këtë deklarim të pasurisë nuk ka treguar fare se ka ndërtuar një vilë në Brezovicë, për të cilën pati raportuar FaktePlus, duke sjell foto dhe pamje të viles.
Në atë kohë për këtë vilë kishte folur edhe vet Qalaj.
“Tokën e kam ble në fillim të këtij viti së bashku me bashkëshorten time. Kemi filluar ta ndërtojmë diku në fund muajit korrik apo fillim të muajit gusht”, pati thënë Qalaj për FaktePlus.
Qalaj pati treguar se ku i mori paratë dhe sa i ka kushtuar ndërtimi i kësaj shtëpie për pushime.
“Në fakt në muajin korrik kemi aplikuar me shoqen time për kredi në bankën NLB këtu në Prishtinë, të cilën e kemi marrë bashkërisht. Vlera e kredisë ka qenë 30 mijë euro dhe kemi lidhur marrëdhënie kontraktuale me një kompani për ndërtimin e një shtëpie pushimi në Brezovicë, e cila është në ndërtim e sipër. Diku madhësia e tokës është 328 metra katror, 3 ari e 28 metra i bie. Ndërsa shtëpia e pushimit është në ndërtim e sipër”.
Shefi i Policisë po ashtu ka të deklaruar një oborr në pronësi të tij në vlerë prej 45 mijë euro dhe një shtëpi në vlerë të 40 mijë eurove të ndërtuar në vitin 2009.
Drejtori i Policisë ka të deklaruar pagë vjetore neto në vlerë prej 20 mijë e 428 euro, kurse mëditje i ka të deklaruara 874.00 një rast dhe një tjetër 1 mijë e 80.
Ai po ashtu ka treguar se në për Avanc, ushqim dhe mëditje jashtë vendit ka marrë para ne dorë 7,249.20.
Ndërkohë bashkëshortja e Qalajt që punon në një degë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në Lipjan, pagën mujore e ka 494 euro.
Sa i përket parave të mbajtura në banka, Qalaj i ka mbi 4 mijë euro në emër të fëmijëve në bankën ‘ProCredit’ dhe një shumë prej 600 eurove në një bankë tjetër, zotërues të të cilave i ka paraqitur fëmijët. Kurse, mbi 9 mijë euro o ka deklaruar si të vetat që i ka të deponuara në bankën NLB dhe bashkëshortja 2 mijë e 771 në po të njëjtën bankë.
Shefi i Policisë ka treguar se ka kredi në bankë në vlerë prej 30 mijë eurove në NLB dhe një tjetër kredi në vlerë prej 14 mijë eurove.
Pse shefi i Policisë, Rashit Qalaj e mbajti sekret Vilën luksoze në Brezovicë