Shefi i Pentagonit konfirmon vdekjen e Hamza bin Ladenit
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka konfirmuar vdekjen e Hamza Bin Ladenit, djalit të themeluesit të grupit, Al-Kaida, Osama bin Laden.
“Kështu kam kuptuar unë”, ka thënë Esper në një intervistë për Fox News, kur është pyetur nëse Hamza Bin Laden është i vdekur, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.
“Nuk kam detaje për këtë rast. Edhe nëse do të kisha, nuk jam i sigurt nëse do të mund t’i ndaja me ju”, ka shtuar ai.
Mediat amerikane kanë raportuar në fillim të muajit gusht se bin Laden është vrarë në dy vjetët e fundit në një operacion që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe zyrtarë të inteligjencës.
Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump dhe zyrtarë tjerë të lartë kanë refuzuar të konfirmojnë apo mohojnë një gjë të tillë publikisht.