ShBA kërkon arrestimin dhe ekstradimin e Gurit
Kongresistët amerikanë i kanë kërkuar Serbisë arrestimin dhe ekstradimin e Goran Radosavljeviq – Gurin, i cili gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 ishte drejtues policor.
Këtë kërkesë kongresistët amerikanë e kanë bërë gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin në Munih.
Amerikanët kanë kërkuar që Serbia, për shkak të vrasjes së vëllezërve Bytyçi në vitin 1999, ta arrestojë dhe ta ekstradojë Goran Radosavljeviq – Gurin, atëbotë ish – udhëheqës policor në Kosovë, shkruan gazeta e Beogradit “Blic”.
“Ka qenë bisedë shumë e vështirë. Palës amerikane më së shumti i ka interesuar rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi e më pas Kosova”, ka thënë burimi i kësaj gazete.
Duke u përgjigjur në kërkesën kongresistëve, Vuçiqi gjoja është përgjigjur se për arrestim duhet të ketë dëshmi e jo rrëfime gazetash e spekulime.
Në grupin e kongresistëve ka qenë edhe Eliot Engel.
Biseda, rastësisht ose jo, ndodhi pak kohë pas miratimit, në Parlamentin serb, të Marrëveshjes së korrigjuar për ekstradim ndërmjet Serbisë e ShBA-së.