ShBA-ja shkarkon 27 pjesëtarë të forcave ajrore shkaku i vaksinës
Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë shkarkuar 27 pjesëtarë për shkak të refuzimit për ta marrë vaksinën kundër koronavirusit.
Pjesëtarët e këtyre forcave kishin afat deri më 2 nëntor për t’u vaksinuar, por mijëra kanë refuzuar ose kanë kërkuar që për ta të bëhet përjashtim nga rregulla. Zëdhënësja e forcave ajrore, Ann Stefanek, tha të hënën se këta janë pjesëtarët e parë që shkarkohen për arsyet që e përfshijnë vaksinën.
Zëdhënësja njoftoi se të gjithë të shkarkuarit ishin të rinj në rang më të ulët, shkruan The Guardnia.
Më herët këtë vit, Pentagoni kërkoi vaksinim të tërë stafit ushtarak, përfshirë forcat aktive, gardën kombëtare dhe rezervistët. Secila degë e ushtrisë kishte vendosur afate dhe procedura për vaksinim.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se vaksina është jetike për mbajtjen e shëndetit të forcave dhe aftësisë së tyre për të reaguar ndaj ndonjë krize kombëtare të sigurisë.
Sipas të dhënave më të reja nga forcat ajrore, më shumë se 1.000 pjesëtarë kanë refuzuar që të vaksinohen dhe mbi 4.700 kanë kërkuar përjashtim të rregullës për ta për arsye fetare.