ShBA-ja: Raketa kineze me shpejtësi marramendëse mund të bjerë në Tokë të shtunën
Raketa 21-tonëshe kineze, “Long March 5B”, e cila ka dalë jashtë kontrollit, pritet të përplaset në sipërfaqen e Tokës të shtunën e 8 majit, duke paraqitur rrezik edhe për zonat e banuara, paralajmëroi qeveria amerikane.
Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes e bëri të ditur datën se kur raketa e dalë nga kontrolli pritet të kthehet në atmosferën e Tokës, por shtoi se kthimi i saj i saktë nuk mund të përcaktohet.
Përditësime të përditshme për vendndodhjen e saj po publikohen në faqen “Space Track” dhe qeveria do të ofrojë të dhëna shtesë posa ato të jenë të gatshme, tha zëdhënësi.
Edhe vëzhguesit e tjerë të satelitëve e kanë vërejtur trupin e raketës së gjatë 30 metra e gjysmë duke lëvizur me shpejtësi marramendësi prej mbi 23 mijë kilometrash në orë, shkruan Daily Mail,
“Komanda Hapësinore e Shteteve të Bashkuara është e vetëdijshme për raketën dhe është duke e përcjellë lokacionin e raketës kineze “Long March 5B” në hapësirë”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Mike Howard.
Kjo raketë u përdor për dërgimin e bllokut të parë ndërtues në hapësirë për stacionin e ardhshëm hapësinor të Kinës.