ShBA-ja mundohet ta qetësojë Francën, Blinken javën e ardhshme në Paris
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do ta vizitojë Francën javën e ardhshme në kohën kur administrata e Bidenit po mundohet t’i qetësojë tensionet dhe t’i shmangë dëmet e mundshme në raporte shkaku i mosmarrëveshjes rreth bashkëpunimit me Australinë.
Departamenti i Shtetit tha se kryediplomati Blinken do ta vizitojë Parisin nga e hëna për një konferencë ndërkombëtare ekonomike, por theksoi se ai gjithashtu do të takohet me zyrtarë francezë për të diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve aleate.
Shtetet e Bashkuara janë munduar që ta qetësojnë zemërimin e Francës dhe Bashkimit Evropian që nga njoftimi i 15 shtatorit për marrëveshjen me Australinë e Britaninë e Madhe rreth teknologjisë së nëndetëseve bërthamore, e cila bëri që të anulohej marrëveshja paraprake e Australisë me një kompani franceze.
Të gjitha palët pajtohen se riparimi i marrëdhënieve do të marrë kohë. Departamenti i Shtetit tha se qëllimi i vizitës së Blinkenit në Paris është fuqizimi i “raportit jetik ShBA – Francë për një varg çështjesh, përfshirë sigurinë në rajonin e Indo-Paqësorit”, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Express.
Para vizitës në Paris, Blinken u takua të premten me ambasadorin francez, Philippe Etienne, i cili u kthye në Uashington pasi u tërhoq përkohësisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në shenjë zemërimi për përjashtimin e Francës nga marrëveshja e njohur si AUKUS, që e ka për qëllim luftimin e ndikimit të Kinës në Indo-Paqësor.