ShBA-ja dhe Japonia bëhen bashkë kundër agresivitetit të Kinës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u mundua të paraqesë një front të përbashkët me kryeministrin japonez, Yoshihide Suga, për t’iu bërë ballë veprimeve agresive të Kinës gjatë vizitës së parë të një lideri të huaj në Shtëpinë e Bardhë.
Kina ishte temë kryesore e diskutimit të premten në Shtëpinë e Bardhë, duke e theksuar rolin qendror të Japonisë në përpjekjet e Uashingtonit për t’u përballur me Pekinin. Dy udhëheqësit adresuan një varg çështjesh, përfshirë Tajvanin, për të cilin Suga tha se u rikonfirmua rëndësia e paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit.
“Sot, kryeministri Suga dhe unë e konfirmuam përkrahjen tonë të hekurt për aleancën ShBA – Japoni dhe për sigurinë tonë të përbashkët”, deklaroi Biden në konferencën e përbashkët për gazetarë, duke e quajtur produktiv takimin.
“Ne u zotuam për të punuar së bashku që t’i shqyrtojmë sfidat nga Kina dhe çështjet si Deti Lindor i Kinës, Koreja Veriore dhe sigurimi i një të ardhmeje me Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, shtoi ai.
Suga tha se ai dhe Bideni u pajtuan për nevojën e diskutimeve të hapura me Kinën në kontekstin e aktiviteteve të Pekinit në rajonin e Indo-Paqësorit.
Ndaj këtij takimi reagoi Ministria e Jashtme e Kinës. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Zhao Lijian, tha se Kina shpreh shqetësim rreth “marrëveshjes së fshehtë” mes Japonisë dhe ShBA-së dhe se këto vende duhet ta marrin seriozisht shqetësimin e Kinës.