SHBA i japin ultimatum Turqisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Turqisë afat deri më 31 korrik që të tërhiqet nga blerja e sistemit mbrojtës raketor rus ose në të kundërtën do të përballet me largimin nga bashkëpunimi për prodhimin e aeroplanëve luftarakë “F-35”.
Ellen Lord, nënsekretare amerikane e mbrojtjes, tha para gazetarëve se edhe pilotët turq që janë duke u trajnuar për drejtimin e këtyre aeroplanëve do të largohen nga ky vend, nëse marrëveshja me Rusinë nuk anulohet.
Ajo tha se ultimatumi i ofron kohë të mjaftueshme personelit turk që është i përfshirë në programin e aeroplanëve “F-35” që të largohen nga Shtetet e Bashkuara në rast të mosrespektimit të këtij afati.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Patrick Shanahan, ia ka dërguar një letër homologut të tij turk, me të cilën ia tregoi masat që do të merren ndaj Turqisë, nëse Ankaraja zyrtare nuk e ndryshon qëndrimin për këtë çështje.
Uashingtoni dhe aleatët e tij e cilësojnë sistemin rus, S-400, si të papërshtatshëm me sistemet e NATO-s dhe kërcënim për aeroplanët luftarakë “F-35”, shkruan “Free Europe”, /FaktePlus