SHBA: 100 milionë të vaksinuar kundër COVID-it
Administrata amerikane, e cila kishte vënë si objektiv për të bërë 100 milionë doza të vaksinës kundër COVID-it në 100 ditët e para të presidencës Biden, ka arritur të vaksinojë 100 milionë amerikanë.
Të premten Shtetet e Bashkuara u bënë vendi i parë që e arrin këtë shifër.
Megjithatë shifrat e të infektuarve me koronavirus mbeten të larta në disa rajone amerikane.
Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve të premten të mos bien në vetkënaqësi. “Të gjithë duhet të vazhdojmë të ruhemi në këto faza të fundit,” tha Biden.
Më herët këtë javë, presidenti tha se me shtimin e përpjekjeve të administratës, “të paktën 90% e të gjithë të rriturve në vend do të përmbushin kriteret për t’u vaksinuar brenda datës 19 prill” pasi tashmë ka prodhim të mjaftueshëm vaksinash për ta përballuar këtë objektiv.
Gjatë një mbledhjeje në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, presidenti dhe drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Dr. Rochelle Walensky, shprehën shqetësimin se shumë amerikanë po braktisnin protokollet mbrojtëse kundër virusit.
Nëse vazhdon kjo, tha Presidenti Biden, vendi mund të përfshihet nga një valë e katërt e pandemisë.
Shtimi i rasteve të koronavirusit ka rikthyer situata kritike në një numër vendesh në botë. Në Itali, autoritetet shpallën një numër “zonash të kuqe” në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën pas shtimit të infektimeve ditët e fundit.
Në Gjermani, pandemia ka thelluar mosbesimin ndaj autoriteteve. Presidenti Frank-Walter Steimeier u bëri thirrje gjermanëve të bashkohen ndërsa vendi përballet me Pashkët e dyta radhazi të shoqëruara me rritje të infektimeve dhe pakënaqësi lidhur me masat qeveritare.
Në Evropë, ritmet e vaksinimit kanë qenë zhgënjyese. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm 10% e evropianëve kanë bërë një dozë vaksine dhe pak më shumë se 4% janë të imunizuar plotësisht kundër COVID-19.