Shala thotë se pushteti po përpiqet ta shmangë një problem të madh: Askush nuk e heton veten
LDK-ja e cilëson antiligjore dhe antikushtetuese përpjekjen e LVV-së për ta formuar një komision hetimor parlamentar i cili do t’i hetonte çështjet e energjisë elektrike në vend gjatë periudhës 16-vjeçare, pra që nga viti 2006.
Nënkryetari i Kuvendit nga LDK-ja, Kujtim Shala tha se është e qartë se pozita po mundohet ta shmangë një problem të madh, pasi beson se pretendimet e opozitës për keqpërdorime në situatën e krizës energjetike janë të sakta.
“Ju nuk hetoni sepse jeni shumicë. A e kuptoni? Kur të ktheheni në një pakicë, do ta hetoni shumicën. Ndryshe s’ka kurrfarë logjike. Pse? Sepse askush nuk e heton veten. Pra, kur ka pretendime, atëherë ka edhe një qëllim: që ta zbulojmë të vërtetën. Ndoshta këto pretendime janë krejtësisht të pasakta, dhe ky s’është problem i madh. Por çka nëse këto pretendime janë të sakta? Atëherë ky është problem i madh”, tha Shala.
“A po përpiqeni ju ta shmangni këtë problem? Kjo është e qartë”, shtoi deputeti i LDK-së.
Për çështjen e 40 nënshkrimeve me të cilat thirret seancë e Kuvendit ku synohet formimi i një komisioni parlamentar, Shala e pati një intrepretim të ndryshëm nga pozita.
“Kushtetuta nuk thotë që kjo është e drejtë e opozitës, por kjo nënkuptohet, sepse opozita asnjëherë s’mund të bëhet shumicë”, tha ai.
Shala tha se nuk ka kuptim që legjislatura aktuale e Kuvendit të hetojë çështje që kanë ndodhur vite më parë.
“E tani, pse bëhen hetimet. Ju thashë që ky grup i deputetëve dëshiron t’ju hetojë ju. Pra kjo legjislaturë ka kuptim t’i hetojë institucionet në këtë mandat kushtetues, nuk ka kuptim të hetojë çështje të cilat kanë ndodhur vite më parë. E dini pse? Sepse atë mund ta vendosë vetëm shumica”, tha ai.
Në atë rast, në rrafshin politik, Shala tha se këtë mjet “një shumicë e sotme që dje ishte opozitë, mund ta përdorë kundër opozitës së sotme – politikisht, ta përndjek politikisht – e që sot është pakicë”.
Pushteti dhe opozita po diskutojnë sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.