Shala: Ekonomia u dëmtua rëndë, 60 për qind e bizneseve frikësohen se s’do të mbijetojnë
Sipërmarrësja Linda Shala është e bindur se masat që ka marrë Qeveria e Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit e kanë goditur rëndë ekonominë e Kosovës.
Ajo në Klan Kosova ka thënë se bizneset në Kosovë janë duke përjetuar goditje nga e cila do t’iu duhet kohë që ta marrin veten.
“Ajo që është shqetësuese, përpos aspektit shëndetësor, lufta e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve për të parandaluar një valë të zhvillimit të pandemisë janë problemet që na kanë ndalë në aspektin ekonomik”.
“Masat e ndërmarra kanë afektuar direkt ekonominë dhe biznesin në Kosovë. Për faktin se përmbi 95 për qind të aktiviteteve të bizneseve në Kosovë janë ndaluar dhe ato biznese për të pestën javë nuk janë duke zhvilluar aktivitet ekonomik. Një problem tjetër është që edhe ato biznese që kanë pasë mundësi që të zhvillojnë aktivitet ekonomik po hasin në vështirësi të mëdha dhe po shihet që kanë rënie në qarkullim dhe rritje të shpenzimeve”.
Shala që është edhe Nënkryetare e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës ka deklaruar se masat që Qeveria ka marrë për t’i dalë në ndihmë bizneseve janë shumë të vona.
Ajo ka thënë se këto masa do të duhej të merreshin në mënyrë paralele me masat që janë marrë në të mirë të shëndetit të qytetarëve.
“Sot është prezantuar një hulumtim. Është shqetësuese kur mbi 60 për qind të bizneseve, në një anketë e cila është bërë para dy javësh, e shprehin shqetësimin e tyre se nuk do të mbijetojnë. Unë jam e prirë të besoj se jemi duke e kontrolluar aspektin shëndetësor, por do të kemi problem jashtëzakonisht të madh në aspektin ekonomik”.
“Në Kosovë bizneset janë kryesisht të reja, të ndërtuara në kushte dhe rrethana të vështira, janë biznese shumë të ndejshme – çrregullimet më të vogla në treg kanë pasur impakt në zhvillimin e këtyre bizneseve, e mos të mos flasim për masat që janë marrë për parandalimin e pandemisë kur ato janë ndalë”.
“Masat që janë marrë, që janë proklamuar, kanë filluar të merren që është një problem në vete, sepse kemi vonesë. Unë mendoj që është dashur që të merren masat ekonomike në kohën kur janë marrë masat shëndetësore. Kemi vonesë e cila mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha”.
Shala rekomandoi që qeveria të mbajë takime me bizneset para çdo vendimi që afekton ekonominë e vendit.
“Ashtu sikur masat shëndetësore ia kemi lënë institucioneve shëndetësore kompetente, pra profesionistëve shëndetësorë edhe për masat ekonomike duhet të vendosin profesionistët dhe njerëzit që kanë përvojë”.
“Për mua do të ishte normale që vendimmarrësit kryesor të ekonomisë sikur t’i takonin bizneset reprezantive të sektorëve të caktuar”.