Shala: E pashë absurde mos ta votoja Qeverinë pas aktgjykimit të Kushtetueses, faji për prishjen e koalicionit me VV i dyanshëm
Deputeti i LDK-së Ardian Shala e ka votuar Qeverinë e Hotit pavarësisht se ka ngritur dorën kundër mocionit për rrëzimin e “Koalicionit të Shpresës” më 25 mars.
Shala ka thënë se ka votuar për Avdullah Hotin kryeministër pasi e ka parë absurde të mos e votonte një kryeministër të LDK-së.
Ai ka thënë po ashtu se më shumë i ka besuar qeverisë mes VV-së dhe LDK-së sesa të tanishmes ku partia e tij qeverisë me AAK-në e Nismën.
Avdullah Hoti të mërkurën u zgjodh Kryeministër i Republikës, megjithëse 61 votat e mjaftueshme në Kuvend nuk i kishte të sigurta. Katër deputetët e LDK-së që votuan kundër dhe abstenuan në mocionin e partisë së tyre për rrëzimin e qeverisë Kurti, ishin skeptik se a do ta votojnë Hotin për Shef të Qeverisë. Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli nuk ishin të pranishëm të mërkurën, Fatmir Rexhepi abstenoi. Megjithatë deputeti nga Suhareka, Ardian Shala e votoi të mandatuarin e partisë së tij për Kryeministër.
Deputeti Shala tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë dekretit të Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit e ka parë si absurde votën e tij kundër një kryeministri të LDK-së.
“Gjykata Kushtetuese me aktgjykim ka treguar se nuk do të ketë zgjedhje, dhe për të dalur kundër një kryeministri të LDK-së më është dukur absurde. Besoj që z.Hoti do të bëjë punë të mira, unë jam deputet edhe pse është qeveria e LDK’së, do të ngris zërin për çdo gjë që që konsideroj të padrejtë”, tha Shala.
I pyetur se a është kontaktuar nga Kryetari Mustafa për ta bindur të votojë pro qeverisë Hoti, Shala ka thënë se nuk ka pasur takim me kryetarin e LDK-së por takime konsultative me udhëheqësit e partisë.
“Ne kemi pasur bisedime, sepse jemi me një parti, thjeshtë është dyshuar që unë nuk do të votoj pro, kemi pasur takim konsultativ, por jo me kryetarin e partisë. Unë jam kryetar dege i LDK-së në Suharekë, unë përfaqësoj votat e qytetarëve aty, bazën më të madhe të votave e kam aty. Është dashur me i pa edhe pozicionet e partisë që mos të kemi shpërbërje në parti, gjithçka ka qenë me pasë një kohezion”, tha Shala për Express.
Deputeti nga Suhareka u shpreh se megjithatë më shumë i ka besuar qeverisë së kaluar, kur LDK-ja ka qeverisur me Vetëvendosjen.
“Nëse më pyet a ke qenë për qeverinë e atherëshme, unë them prapë po, unë i kam besuar më shumë asaj qeverisë tjetër. Unë i kam besuar qeverisë së parë, dhe po të them drejtë sepse kemi dashur që pas 20 vitesh të ndryshojë diçka në Kosovë”, tha Shala.
Ai tutje u shpreh se faji për prishjen e koalicioni VV-LDK ka qenë i dyanshëm.
“Faji ka qenë i dyanshëm si tek VV-ja si tek LDK-ja kanë pasur gabimet e veta dhe ka ardhur deri tek mosfunksionimi i koalicionit, kam qenë kundër që të mos prishet në kohë pandemie sepse e kam parë që nuk po funksionin por për hir të kushteve të rrethanave nuk është dashur”, u shpreh ai.
Shala po ashtu deklaroi se vendimet e deputetëve të LDK-së për të mos qenë pjesë e seancës ku u votua Hoti duhet respektuar.
“Unë them që duhet të respektojmë mendimin e secilit, sepse jemi në demokraci dhe qëndrimet e gjithkujt duhet të respektohen, dhe e vlerësoj vendimin e tyre”, tha ai për të dielën.
Ai mohoi të ketë folur personalisht me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani lidhur me votën e tij pro qeverisë Hoti.
“Asnjëherë nuk kam pasur takim personal lidhur me votën time, përpos asaj që znj Osmani e ka bërë publike që është shprehur kundër votimit të kësaj qeverie”, ka thënë deputeti nga Suhareka.