Shala: Duhet hetuar Dogana për futjen e mallrave me mbishkrime “Kosova e Metohia”
Qeveria e Kosovës kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë autoritetet të cilat mundësuan futjen e mallrave serbe me mbishkrime “Kosova e Metohia”, ngase futja e këtyre produkteve është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se organet e drejtësisë duhet të ndërmarrin masa ndaj Doganës dhe ndaj autoriteteve të tjera që kanë mundësuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë me mbishkrime “Kosova e Metohia”.
Ai ka kërkuar që deklaracioni i mallrave duhet të bëhet në bazë të obligimit Kushtetues.
“Absolutisht duhet të hetohe… Vendimi i Qeverisë është shumë i qartë, e obligon Doganën e Kosovës, inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe të gjitha inspektoratet tjera, si dhe të gjitha autoritetet e Kosovës, që asnjë produkt nuk guxon as të futet dhe as të jetë në treg, i cili në etiketën e tij, në deklaracionin e tij, nuk i referohet Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetutën duhet me zbatuar të gjithë, ky është obligim”, ka thënë ministri Shala.
Ai ka shtuar se Qeveria ende nuk ka marrë masa ndaj doganiereve me suspendim, arrestim apo dënim për shkelje të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, Haradinaj, ka thënë se prokuroria e shtetit duhet të fillojnë hetimet për doganë dhe institucionet tjera që kanë mundësuar hyrjen e mallrave serbe me mbi shkrime “Kosov e Metohia”.
“Ka qenë keq, ka qenë neglizhencë, ka qenë mos kryerje ose mos qëndrim në nivel të institucioneve shtetërore, cila do qoftë… Nuk është mirë që ka ndodhur kjo, por tash duhet institucioni përkatës, prokuroria dhe institucionet tjera që merren me këto punë të vlerësojnë sa është kjo shkelje e rëndë. Por gjithsesi se është shkelje”, ka thënë Shatri, raporton KSP. /FaktePlus