Shahini mohon kalimin në PDK: Lajm plotësisht i pavërtetë
Ministrja e Arsimit në Republikën e Shqipërisë, Besa Shahini, nuk është duke u antarësuar në PDK. Këtë e kanë konfirmuar nga Zyra e Ministres.
“Nënvizojmë se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me to. Siç ndodh rëndom në kaosin dashakeq dhe lajmet e rreme që mbizotërojnë aktualisht në media, edhe lajmi në fjalë është plotësisht i pavërtetë”, thonë ata për Express.
Po ashtu, spekulimet për një kalim të mundshëm në PDK i ka mohuar edhe ushtruesi i detyrës së Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj.
“Cakaj është Ministër në detyrë për Evropen dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë si dhe Sekretar i Partisë Socialiste te Shqipërisë. E gjitha puna e tij është e fokusuar tek realizimi sa me i suksesshëm i detyrave të cilat i janë caktuar dhe mbi te gjitha këtij mandati. Çdo punë e tij e zhvilluar deri më sot shkon në përputhje me mandatin e tij. Kjo për t’u nënvizuar. Më vjen keq, por çdo gjë tjetër është spekulim për qëllime politike”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Dy ministrat në Qeverinë Rama në Shqipëri ishin përfolur si anëtarë të rinjë të PDK’së nga disa medie në Kosovë.
Të dy ministrat morrën detyrat e tyre pas fitimit të mandatit të dytë si kryeministër i Shqipërisë nga Edi Rama. Ai befasoi kur zgjodhi dy kosovarë si ministra.