Shahini: Mësimi vijon online pa afat
Ministrja e Arsimit në Shqipëri Besa Shahini doli në një deklaratë për media pas vendimit të Task Forces kundër koronavirusit për të zgjatur edhe më tej mbylljen e institucioneve arsimore deri në përfundimin e pandemisë Covid-19.
Ministrja Shahini deklaroi se tashmë nuk ka një datë se kur mësimi do të fillojë normalisht dhe informoi se ai do të vijojë online.
“Task Forca për koronavirusi, duke parë zhvillimin dhe përhapjen e pandemisë dhe efektin që ajo ka patur në shëndetin e qytetarëve, ka vendosur që të shtyjë pa afat vendimin për mbylljen e institucioneve arsimor. Pra sot që flasim nuk e kemi një datë specifike se kur hapen shkollat dhe universitetet dhe kur mund të fillojë të zhvillohet mësimi normalisht në kushte shkolle. Ministria e Arsimit do të vijojë me organizimin e xhirimeve të leksioneve për arsimin parauniversitar. Mësuesët do të vijojnë komunikimin me nxënësit duke u kujdesur për ta. Universitetet kanë kaluar një pjesë të lëndëve online dhe bëj ftesë që të gjitha lëndët të kalojnë online pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë”, u shpreh ministrja Shahini.