Sfidat e Kosovës deri në krijimin e industrisë ushtarake
Krijimi i industrisë ushtarake të Kosovës, të cilën e ka paralajmëruar të mërkurën kryeministri Albin Kurti, është duke u parë si i domosdoshëm në kontekstin e zhvillimeve të brendshme dhe të atyre globale.
Bejtush Gashi, ish-zëvendësministër i Forcës së Sigurisë dhe ish-ministër i Brendshëm, ka thënë se përpjekjet për krijimin e një industrie ushtarake, nga e cila do të përfitonin edhe sektorët e tjerë, kanë nisur në vitin 2013, porse nuk janë çuar deri në fund. Ai e ka kualifikuar hap të domosdoshëm njoftimin e Qeverisë për krijimin e kësaj industrie, porse ka shtuar se nxjerrja e vendimit në përvjetorin e themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit mund të jetë bërë për qëllime elektorale.
Ndonëse institucionet e Kosovës e kanë shqyrtuar prej kohësh fizibilitetin e krijimit të një industrie ushtarake, Gashi ka thënë se mbeten boshllëqe legjislative që fillimisht duhen adresuar. Veç ligjit bazë për FSK-në, ai ka thënë se duhet të ndryshohen edhe ligje të tjera, të cilat aktualisht u referohen vetëm importit të armëve që bën Kosova e jo edhe eksportit, gjë e cila synohet në të ardhmen.
“Përpjekje të tilla dhe matja e fizibilitetit kanë filluar edhe vitet e mëhershme nga viti 2013-2014. Në të njëjtën kohë janë nxjerrë konkluzione se institucionet e sigurisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet të ketë një fabrikë, e cila do të përmbushte kërkesat dhe nevojat që ky sektor ka. Megjithatë, këto përpjekje dhe synime duhet të përmbushin edhe një vakuum të domosdoshëm, i cili lidhet me aprovimin e ligjeve përkatëse, të cilat do të mundësojnë themelimin e një industrie ushtarake”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, veç ndryshimit të legjislacionit vendor duhet edhe përshtatje me aktet ndërkombëtare.
“Janë edhe aktet ndërkombëtare që duhet të analizohen dhe të ketë bashkëpunim ndërkombëtar për faktin se prodhimi i armatimit ose industria e armatimit ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në aspektin ndërkombëtar që shteti që prodhon, përkatësisht investon në industrinë ushtarake, duhet t’i përmbushë standardet dhe aktet ndërkombëtare që rregullojnë këtë fushë. Nëse nuk ka një kontroll dhe monitorim ndërkombëtar mund të ketë efekte negative jo vetëm për shtetin që prodhon, por edhe për rajonin në tërësi”, ka thënë Gashi.
Një industri ushtarake, sipas Gashit, do t’i sillte Kosovës përfitime të shumëfishta.
“Në radhë të parë plotëson kërkesat që institucionet e sigurisë kanë, në radhë të dytë, krijon mundësi që edhe Kosova të eksportojë municion dhe në radhë të tretë, ndikon në krijimin e vendeve të reja të punës dhe futjen e institucioneve të kësaj industrie në tregun ndërkombëtar. Kështu që dobia është e shumëfishtë, megjithatë deri në realizimin e plotë të këtij projekti sigurisht, do të nevojitet kohë dhe ky vendim nuk mund të realizohet në një periudhë shumë shpejt”, ka theksuar ai.
Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendimit i kanë paraprirë konsulta dhe ndihmat që i ka ofruar shteti i Turqisë në kryerjen e fizibilitetit. Ai ka theksuar se veprimi është koordinuar edhe me aleatin kryesor strategjik të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve ushtarake – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Por Qeveria nuk e ka bërë të ditur koston për hapjen e dy industrive dhe llojin e municionit që do të prodhohet.
“Fokusi është fillimisht prodhimi i municionit bazë dhe për këtë ne jemi tani në fazën kur fillojnë diskutimet e detajuara, ku përfshihet çmimi dhe produktet që planifikojmë t’i prodhojmë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ejupi.
Krahas me Kosovën, për të cilën e bëri fizibilitetin, mundësinë e prodhimit të municionit dhe të dizajnimit të dronëve, Turqia në aspektin ushtarak ka bashkëpunim edhe me Serbinë. Gjatë një vizite në Serbi gjatë muajit të shkuar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë paralajmëruar se shtetet e tyre mund të bashkohen në prodhim të dronëve ushtarakë, pak muaj pasi dorëzimi i armëve turke në Kosovë ka nxitur reagim në kryeqytetin e Serbisë.
Përderisa Serbia i pati përmendur më herët planet për t’i blerë dronët ushtarakë turq “Bayraktar”, më 2023 ajo ka hequr dorë nga plani, pasi Turqia ka furnizuar Kosovën me dronë.
Kosova ka konfirmuar se pesë dronë nga Turqia do t’i forconin kapacitetet për mbrojtje nga sulmet e mundshme prej Serbisë.
Presidenti i Serbisë Vuçiq, vitin e shkuar pati thënë se furnizimi i Kosovës me dronë “as nuk është lajm i lehtë e as i mirë për Serbinë dhe do të ndikojë në raportet me Turqinë”. Ai ka deklaruar se Serbia do të kërkojë që të blejë dronë nga ndonjë vend tjetër.
Por presidenti i Serbisë ka ndryshuar qëndrim më 11 tetor, kur e ka pritur në Beograd presidentin turk Erdogan.
“Industria ushtarake e Turqisë është dukshëm më e fuqishme se e jona”, ka thënë Vuçiqi në konferencën e përbashkët për medie me Erdoganin.
I pyetur nëse bashkëpunimi në industrinë ushtarake do të përfshinte edhe prodhimin e dronëve “Bayraktar”, Erdogani ka thënë se “Serbia ka kapacitete të caktuara, ne kemi të tjera dhe, si shtete mike, mund t’i zhvillojmë kapacitetet bashkë”.
Edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Erdogani ka paralajmëruar gjithashtu se do t’ia dhurojë shtetit disa dronë “ashtu që askush të mos guxojë ta sulmojë”.
Një tjetër shtet në rajon, Bosnjë-Hercegovina, ka shprehur dëshirë që të blejë dronë të njëjtë, ndërsa Rumania, e cila është pjesë e NATO-s, tashmë ka përfshirë dronë të tillë në inventar.
Kërkesat për prodhim të armëve dhe të municionit kanë shënuar rritje pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Edhe NATO-ja ka kërkuar rritjen e prodhimit të armëve.
Admirali i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Rob Bauer, pati thënë se për shkak të luftës në Ukrainë, municioneve “po u vjen fundi”.
NATO-ja ka ushtruar trysni për nxitje të prodhimit në fushën e mbrojtjes për të përmbushur kërkesat në rritje për armë dhe pajisje ushtarake që nga nisja e sulmit rus ndaj Ukrainës. Kjo për shkakun se vendet aleate, jo vetëm që po nxitojnë për ta furnizuar Kievin, por gjithashtu po kërkojnë që t’i mbushin depot e tyre.
Zyrtari i NATO-s pati paralajmëruar se një rritje drastike e çmimit të municioneve nënkupton se shpenzimet më të larta për mbrojtjen nga vendet aleate nuk janë përkthyer automatikisht në siguri më të madhe. Ai ka bërë thirrje për më shumë investime private në kompanitë e mbrojtjes.