Sezoni turistik, rregullat e reja që duhen ditur nga 1 qershori
Duke filluar nga dita e hënë hotelet në gjithë vendin do të kenë mundësi për të aplikuar për hapjen e plazheve private.
Hotelet dhe strukturat akomoduese do të kenë prioritet për të menaxhuar plazhet private para ndertesave që kanë në pronësi nëpërmjet aplikacionit e-albania.
Ministri i turizmit Bledi Klosi ka shpjeguar me detaje mënyrën se si do të funksionojnë këtë vit plazhet duke theksuar se procesi i aplikimit do të zgjasë dy javë, nga 1 deri në 15 qershor.
Këtë vit ministria e turizmit ka bërë një masterplan përsa i përket vijës bregdetare duke përcaktuar në gjithë territorin e vendit zonat e gjelbra që do të jenë plazhe publike dhe zonat e verdha si hapësira që do të menaxhohen nga hotelet si plazhe private.
Klosi kërkoi nga përfaqësuesit e hoteleve që të marrin masa për menaxhimin sa më të mirë të plazheve duke përmbushur edhe protokollet e hartuara nga ministria e shëndetësisë kundër Covid 19.
Nga data 1 qershor vendi ynë hap të gjithë kufijtë tokësore me vendet fqinje, ndërsa më vonë pritet të lejohen edhe lundrimet me Italinë si dhe linjat ajrore. Kjo do të jetë e kushtëzuar nga hapja që do të bëjnë vende të ndryshme, si për linjat detare, ashtu edhe ato ajrore.