S’është e vërtetë – Nuk ka të infektuar me koronavirus në Kosovë
Virusi misterioz Koronavirus i shfaqur së pari në Kinë, tani është përhapur në gjithë botën dhe ka ardhur edhe në vendet e Ballkanit. Disa media po raportojnë se tani është edhe rasti i parë në Kosovë. Por, zyrtarë nga QKUK-ja kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se kjo nuk është e vërtetë.
Deri sot në Kosovë nuk është shënuar ende asnjë rast pozitiv me koronavirus (COVID-19), por si të dyshuar të prekur me këtë virus deri tani janë testuar rreth 80 mostra të personave në Kosovë.
E para pak minutash disa media raportuan se tashmë është një rast i konfirmuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Mirëpo, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë se ky lajm nuk është i vërtetë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Sa fola me zyrtarët e Klinikës Infektive dhe ende nuk ka ndonjë rast të konfirmuar me koronavirus”, ka thënë fazliu për FaktePlus.
Tashmë thuajse të gjitha vendet e rajonit janë prekur dhe kanë konfirmuar rastet e para me koronavirus.
E ndonëse në Kosovë nuk ka ende ndonjë rast të konfirmuar, rastet e paraqitura në vendet fqinje kanë ngritur alarmin edhe për institucionet tona.
Madje, Kosova i ka rritur kapacitetet për të reaguar ndaj këtij virusi vdekjeprurës dhe në mbledhjen e djeshme Qeveria e Kosovës i ka ndarë 10 milionë e 13 mijë euro për mbrojtje.
Në Kosovë nga 8 shkurti, deri më tani në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR janë testuar 80 persona që dyshohej të jenë prekur nga Koronavirusi e që të gjitha kanë rezultuar negative.
Këtë e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
Virusi vdekjeprurës deri më tani ka marrë jetën e 4,284 personave në gjithë botën, ndërsa 119,094 të tjerë janë konfirmuar si të infektuar./FaktePlus