Sërish shtyhet seanca gjyqësore në rastin “Toka”
Sërish ka dështuar gjykimi ndaj tij ish- deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në gjykimin që njihet si rasti “Toka”.
Seanca gjyqësore e paraparë për sot në rastin “Toka” është shtyrë për 16 maj të këtij viti.
Shkak për mos mbajtjen e seancës që ishte paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë mungesa e të akuzuarve Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Vojoviq.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka arsyetuar vendimin me mungesën e disa prej të akuzuarve.
“Përderisa mungojnë të akuzuarit Shaban Syla, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Lubisha Bujoviq për shkak që gjykata ka anuluar urdhëresën për sjelljen nga qendrat ku mbahen për shkak që jemi informuar se Lubisha Bujoviq do t’i nënshtrohet një operimi në sy”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.
Gjyqtari deri sa ka tentuar të gjejë datën për një seancë të re ka thënë se ajo çfarë po ndodh në këtë gjykim nuk është në rregull.
“Po akuzohemi nga persona të ndryshëm për zvarritje. Në mënyrë objektive kanë të drejtë sepse për dy vjet do të duhej të kryhej një gjykim. Kushdo që dëgjon s’ka arsyetim. Por mënyra qysh punojmë ne s’ka shanse ndryshe të shkojë”, ka thënë ai.
Ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.
Në këtë gjykim deri tash janë ndryshuar dy trupa gjykues, ndërsa deri tash këtë lëndë e kanë përfaqësuar 5 prokurorë, një i EULEX-it e 4 vendorë.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish- deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah BerishaAktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive./FaktePlus