Sërish kompania e afërt me Lushtakun fiton tenderin gati 2.5 milionë euro në ministrinë e PDK-së
Nga maji i vitit të kaluar, po tentohet të realizohet një tender për ndërtimin e objektit për Muzeun e Historisë së Natyrës, për të cilin është caktuar hapësira tek vendi që njihet me emrin “Te Pishat e fshatit Sllatinë” të komunës së Fushë Kosovës. Por, shkeljet ligjore që u bënë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e cila udhëhiqet nga Kujtim Gashi i PDK-së, ndikuan që procesi në këtë tender të shtyhet deri më tani.
Pasi pretendohet se janë korrigjuar shkeljet e bëra herën e parë gjatë vlerësimit të ofertave të kompanive për ndërtimin e këtij muzeu, tani MKRS-së i është dhënë mundësia për të përzgjedhur sërish kompanitë për ndërtimin e objektit, ku do të shpaloset historia e natyrës së Kosovës.
Kështu me datë 15 janar, dje, prokurimi i MKRS-së e ka përzgjedhur për të dytën herë si fitues të këtij tenderi grupin e operatorëve “N.N.R&Rukolli Sh.P.K dhe Call Home Elektronics Sh.P.K”. Kjo kontratë që pritet të nënshkruhet brenda 10 ditësh ka një çmim prej 2 milionë e 378 mijë e 431 euro e 81 cent, shkruan FaktePlus
Kujtojmë se për këtë tender herën e parë ishte shpallur fituesi me 13 gusht të vitit 2018. Por, Organi Shqyrtues i Prokurimit gjeti se tenderi ishte realizuar kundërligjshëm nga MKRS dhe e urdhëroi atë që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Kështu pas pas rivlerësimit, ministria që drejtohet nga Kujtim Gashi i PDK-së vendosi persëri për dy kompanitë e lartcekura.
Kompania fituese e afërt me Sami Lushtakun
Pronar i kompanisë “N.N.R&Rukolli Sh.P.K” e cila është lidere në këtë tender është Rrustem Rukolli, mik i ngushtë i Sami Lushtakut të PDK-së. Rukolli ka qenë koordinator i mbrojtjes së Sami Lushtakut në rastin gjyqësor të njohur si Drenica.
Madje Rukolli për këtë rast i kishte drejtuar një letër para një viti liderit të PDK-së, Kadri Veseli, në ditën kur partia e tij mbajti konventën.
Duke kujtuar padrejtësitë që po i bëhen Lushtakut në procesin gjyqësor, Rukolli ka thënë se shpreson shumë se Veseli, por edhe deputetët e Drenicës do të angazhohen që gjykatat të marrin vendime të lira dhe meritore për t’i mbrojtur ish- eprorët e UÇK-së.
Ankesat në OSHP
Për projektin të cilin MKRS kishte ndarë mbi 4 milionë euro, pas shpalljes se fituesit në vitin e kaluar pati ankesa të kompanive tjera konkuruese në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Deri te ky vendim paneli shqyrtues i OShP-së erdhi pasi që MKRS si Autoritet Kontraktues nuk i ka trajtuar ofertat e operatorëve ekonomik konform kërkesave dhe dëshmive të parashtruar në njoftimin për kontratë.
Po ashtu edhe për faktin se konsorciumi “NNR-Rukolli&Call Home Elektronics Sh.P.K” i rekomanduar për kontratë kishte manipuluar me dosjen e tenderit.
Ky konsurcium në vend se të ofronte certifikatë me ndonjë kompani të certifikuar për montim të paneleve elektronike (ormanë) me certifikatën për Advanced Panel Building, kishte ofruar certifikatë të “Loytec Competence Partner” i cili kinse e ka certifikuar Call Home Electronics Sh.P.K.
Kështu ministria e ktheu lëndën në rivlerësim, por tani shpalli fituesit e njëjtë.
Mirëpo për tenderin në fjalë përsëri u ankua një kompani në OShP.
Lokacioni për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës
Lokacioni për ndërtimin e objektit për Muzeun e Historisë së Natyrës është caktuar të jetë hapësira tek vendi që njihet me emrin “Te Pishat e fshatit Sllatinë” të komunës së Fushë Kosovës.
Në këtë muze do të shpaloset historia e natyrës së Kosovës, respektivisht prezantimi i bimëve të egra të Kosovës, por edhe përdorimi i tyre.
Po ashtu, muzeu do të ketë planetarium, auditorium, bibliotekë, kënd të fëmijëve, restorant, shëtitore dhe hapësira administrative.
Sipas përshkrimit të lëndës në kontratë thuhet që qëllimi i ndërtimit të objektit “Muzeu i Historisë së Natyrës” është se koleksionon, ekspozon dhe arkivon mbetjet e çfarëdo organizmi në standarde më të larta të mundshme për të siguruar ruajtjen e tyre dhe të gjitha informatave rreth tyre.
Pra, ky muze do të ofroj për qytetarët e Kosovës ekspozita të përhershme dhe të përkohshme me eksponate nga zoologjia, gjeologjia, botanika dhe të tjera.
Lista e operatorëve që kanë aplikuar në këtë tender
1. Grup i Operatorëve Ekonomik: N.N. R & RUKOLLI SH.P.K.; ” CALL – HOME ELEKTRONICS ” SH.P.K., 2.380.981,69 euro.
2. Grup i Operatorëve Ekonomik: N.P.T.”ELSHANI”SH.P.K; N.P.N. “Albing ” Sh.p.k.; Ed Konstruksion shpk, 2.455.854,69 euro.
3. Grup i Operatorëve Ekonomik: ALFA.i; N.T.SH. ” Dino ” Sh.p.k., 2.571.563,94 euro.
4. Grup i Operatorëve Ekonomik: ” H & B – Consulting ” Sh.p.k.; ” Enex – Trade ” SH.P.K.; N.N.SH. ” TOP PROJEKT “, 2.834.512,37 euro
5. Grup i Operatorëve Ekonomik: ” BM GROUP ” SH.P.K.; Alba Konstruksion, 2.891.738,03 euro.
6. ” Fitorja ” Sh.p.k., 2.912.699,07 euro
7. Grup i Operatorëve Ekonomik: ,,Raf II”sh.p.k.; ,,Benita Company”Sh.p.k.; ” Vinex ” Sh.p.k., 2.998.718,62 euro
8. ” PE -VLA-KU ” SH.P.K. DEGA NË KOSOVË, 600285531 3.325.499,42 euro.
9. Grup i Operatorëve Ekonomik: “KRAPI COM” SH.P.K.; “ ADA CONSULTING GROUP “ SH.P.K., 2.437,233.02 euro.
10. Ekonomik: “ALBA GROUP”SH.P.K.; “Ingjinjering group” Sh.p.k. Robert Doll, PRISHTINË 2.809,041.13./M.B – FaktePlus