Serbia pezullon eksportin për grurin që i solli përfitime milionëshe nga Kosova
Gjatë ditës së djeshme edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori vendim të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga e enjtja e 10 marsit, shkruan Paparaci.
E këto paralajmërime për rritjen e çmimit dhe mungesës së mundshme të miellit në treg, por edhe produkteve tjera bazike ushqimore, ndikuan që gjatë ditës së djeshme qytetarë të shumtë t’ia mësyjnë marketeve për t’u furnizuar me to.
Mirëpo, cila është vlera e importit të miellit nga Serbia në Kosovë?
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje me shkrim për Paparacin, tha se Kosova gjatë vitit të kaluar ka importuar 18 milion kilogram miell, ku vetëm 1.1 milion janë me origjinë nga Serbia.
“Nga 18 milion kilogram të importuar gjatë tërë vitit rreth 1.1 milion janë me origjinë nga Serbia ose shprehur ne përqindje rreth 5 %”, tha ai për Paparacin.
Sipas statistikave të dërguara nga Dogana e Kosovës ka importuar nga Serbia 100 e 30 mijë kilogram miell prej gruri durum që kap shifrën prej 35 mijë e 270 eurosh.
Kurse, miell prej gruri të zakonshëm ose splet, Kosova gjatë viti të kaluar ka importuar 1 milion e 32 mijë e 700 kilogram që kap shifrën prej 281 mijë e 978 euro e 48 centë.
Gjatë 12 muajve të vitit të kaluar Kosova ka 7 mijë kilogram miell meselini nga Serbia, import ky që kap shifrën prej 2 mijë e 609 euro e 18 centë.
Në total Kosova gjatë vitit që po lëmë pas ka importuar miell nga Serbia me vlerën 319 mijë e 857 euro e 66 centë, raporton Paparaci.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2021 vendi ynë krahas Serbisë ka importuar edhe nga Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bulgaria, Zvicra, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Maqedonia e Veriut, Holanda dhe Turqia.
Nga Shqipëria Kosova ka importuar 67 mijë kilogram të miellit të grurit durum që kam vlerën prej 31 mijë e 893 euro e 39 centë. Kurse, ka importuar 274 mijë e 150 kilogram miell prej gruri të zakonshëm ose splet. Ky import kap shifrën prej 101 mijë e 18 euro.
Në total vendi ynë nga Shqipëria gjatë 2021 – ës ka importuar 132 mijë e 911 euro e 89 centë, shkruan Paparaci.
Importin më të madh i miellit në Kosovë gjatë vitit të shkuar e ka pasur nga Kroacia. Brenda 12 muajsh nga ky vend janë importuar 4 milionë e 892 mijë e 755 kilogram miell, import ky që kap shifrën prej 1 milionë e 497 mijë e 641 euro e 66 cent.
Më poshtë gjeni tabelën me të dhënat për vende tjera nga të cilat Kosova ka importuar miell.
A ka rezerva të mjaftueshme të miellit në Kosovë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në një konferencë për media deklaroi se ka rezerva të mjaftueshme të miellit në tregun e Kosovës, shkruan Paparaci.
“Ka rezerva dhe nuk ka nevojë për panik. Ftoj qytetarët e Kosovës që të ndjehen të sigurt. Përfaqësuesit e mullisëve më siguruan që edhe për dy muaj ka grurë nuk ende nuk është bluar, tani ka grurë edhe për së paku edhe për tre muaj”, deklaroi Kurti.
Ky i fundit madje ftoi qytetarët që miellin e tepërt të blerë ta kthejnë në furra.
“Të gjithë qytetarët që kanë blerë miell më shumë se sa duhet, atë ta dërgoj në furra, sepse nuk ka vend për panik. Situata është më e mirë sesa disa shqetësime apo brenga të shtisuara”, ka shtuar ai.
Gjithsesi i pari i shteti nuk e mohoi faktin se përfituesit po mundohen të fitojnë nga kriza ekonomike nga vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.
Se ka rezerva të mjaftueshme të miellit në Kosovë, dje pohuan edhe nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës. Kryetari i kësaj shoqate, Muhamet Ferizi, theksoi se kapacitetet prodhuese të mullisëve në vend është për 5.5 milionë banorë.
“Në Kosovë ka të instaluar mullinj të mjaftueshëm. Kapacitetet prodhuese në vend janë për 5.5 milionë banorë. Mullinjtë janë të kujdesshëm dhe kanë importuar në kohë të duhur sasitë e nevojshme prej jashtë”, deklaroi dje ai në një konferencë për media.
Sipas tij, miell në Kosovë ka edhe për tre muaj të tjerë, raporton Paparaci.
“Miell ka mjaftueshëm të prodhuar. Ka sasi të konsiderueshme edhe për tre muaj të tjerë. Në kohën e kërkesë së madhe, këto produkte nuk blihen në markete”, ka përfunduar ai.
Bashkim Zejnullahu nga kjo Shoqatë dje deklaroi se janë duke përcjell çmimin e bursave për miellin, teksa shtoi se lëvizja e çmimit në bursa do të ndikojë edhe brenda vendit.