Serbia ndal punimet, nuk dihet kur rinisin gërmimet për gjetje të varrezave masive në Kizhevak
Edhe 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë. E angazhimet për këta persona nuk janë ndalur asnjëherë. Në muajin korrik nisën kërkimet, por autoritetet serbe në gusht i kanë ndërprerë gërmimet në lokalitetin e Kizhevakit në Serbi, vend ky ku dyshohet të ketë varrezave masive me trupa të shqiptarëve.
Në vendin e quajtur Kizhevak që gjendet në rajonin e Rashkës po gërmohet tash e katër vite, por që kurrë nuk është gjetur ndonjë mbetje mortore e trupave të shqiptarëve të vrarë.
Kushtrim Gara nga Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka thënë për FaktePlus se nuk dihet kur do të rinisin gërmimet pasi kjo varet krejtësisht nga pala serbe.
“Është shqetësuese mungesa e informacioneve të besueshme nga ana e palës serbe për lokacionet ku mund të jenë varrosur shqiptaret e vrarë gjatë luftës. Ne kemi marrë pjesë si vëzhgues në gërmimet që janë zhvilluar për tri javë në territorin e Kizhevakit në Serbi të cilat kanë filluar me 22 korrik dhe janë ndërprerë me 9 gusht dhe tash nuk dihet cili do të jetë hapi i mëtutjeshëm”, ka thënë Gara.
Ai ka insistuar se duhet të ekzistoj një presion më i madh i Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj qeverisë serbe që të ofroj hartat e sakta se ku ndodhën varrezat.
“Duhet një presion më i madh i Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj institucioneve të Serbisë që t’i ndërpres lojërat me lokacione me raste tilla dhe të jetë më bashkëpunuese në këtë proces sepse në Kizhevac po punohet që katër vite dhe nuk është gjetur asgjë. Pra ata duhet të ulen në tavoline dhe ti ofrojnë informatat për lokacionet e sakta”, ka thënë ai.
Gara pohon se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka kërkuar gjithashtu nga autoritetet ndërkombëtare që t’i shfaqin imazhet satelitore, të cilat saktësisht do ta precizonin vendndodhjen e varrezave me mbetje mortore.
“Në të njëjtën kohë kemi edhe një kërkesë për Bashkësinë Ndërkombëtare që t’i ofroj imazhet satelitore për lokacionin në Kizhevak, sepse përvojat me imazhe satelitore mund të jenë ndihmuese në kuptimin e saktësimit të lokacionit sepse Kizhevaku është një zonë e ish minierës funksionale edhe pas luftës ku është punuar vazhdimisht, dhe aty ka pas zhvendosje të dheut është potencialisht vend i dyshuar, gjë që e vështirëson gjetjen e varrezave”, ka thënë Gara.
I pyetur nga FaktePlus nëse ekziston mundësia e asgjësimit të një pjese të mbetjeve mortore, me qëllim fshehjen e krimit, Gara ka pohuar se një gjë e tillë është e mundur të ketë ndodhur, sepse të gjitha këto kanë ndodhur nën organizimin e vetë qeverisë serbe.
“Populli i Kosovës gjatë luftës është përballur me gjitha format e krimeve më të dhunshme që njeh historia e njerëzimit ku në këtë rast përfshinë rrëmbimin e njerëzve të gjallë. Zhdukja e kufomave, varrosja dhe zhvarrosja në përpjekje për të fshehur krimet e Serbisë, dyshohet se janë përdorur edhe furrnaltat për asgjësimin krimit, rrjedhja e lumenjve pra gjitha format janë përdorur për të fshehur krimet kundër njerëzimit”, ka thënë Gara.
Ndryshe, më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës së fundit në vitet 1998- 1999 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante. Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.
Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Ndërkohë ngadalësimi në procesin e zgjidhjes së rasteve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovës, nënkupton se mbi 1600 familje vazhdojnë të presin pafund për më të dashurit e tyre të cilët u zhdukën qe dy dekada./FaktePlus