Serbia kërcënon Marin Memën për dokumentarin mbi përvetësimin e historisë
Emisioni hulumtues “Gjurmë Shqiptare” i Marin Memës ka realizuar 6 ditë më parë një dokumentar i titulluar “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, ku tregohej sesi serbët kishin përvetësuar kishat iliro-arbërore. Mirëpo ky dokumentar, ku pasqyrohen qartë disa fakte historike ka ngritur në këmbë gjithë shtetin serb.
Reagime të shumta, kanë ardhur nga Serbia, si nga politikanë, historianë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm. Lidhur me këtë ka reaguar edhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ku thotë se Serbia asnjëherë nuk do të heq dorë nga shenjëtoret e saj.
Në deklaratë thuhet:
Kuptohet që Serbia kurrë dhe me asnjë kusht nuk do të heqë dorë nga shenjtorët e saj në Kosovë dhe Metohi, dhe ne besojmë se edhe populli shqiptar, i cili është krenar për historinë dhe traditën e tyre të pasur, nuk ka nevojë të shohë për historinë dhe traditën e njerëzve të tjerë.
Ndër të tjera thuhet se disa shqiptarë janë duke e sulmuar historinë dhe besimin e popullit serb, duke e quajtur propagandë të radhës të shqiptarëve kundër serbëve. Ministria serbe e Kulturës ka deklaruar se shqiptarët nuk po ndalen së provokuari shtetin serb, duke shtuar se deformimin e historisë serbe nuk do mund ta arrijnë asnjëherë.
Një reagim të tillë, ka ardhur edhe nga opinionistë të ndryshëm, të mbajtur në debate të ndryshme ku shihet edhe kërcënimi ndaj gazetarit Mema. Ata kanë akuzuar se qëllimi i dokumentarit është denigrimi i kulturës dhe historisë serbe. Ndërkohë lidhur me këtë çështje nuk ka asnjë reagim nga shteti shqiptar.