Senatorët amerikanë: Kosova partner i rëndësishëm për ShBA
Një delegacion i senatorëve nga ShBA-të kanë vizituar drejtuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me ç’rast vlerësuan se Kosova vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe për NATO-n.
Kjo vizitë e senatorëve është realizuar dje në Komandën e Forcës Tokësore të FSK-së dhe aty janë pritur nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama bëhet e ditur se i njoftoi senatorët, për aktivitetet e zhvilluara në kuadër të partneritetin të Kosovës me ShBA-të dhe rëndësinë që ka për ky partneritet.
“Në veçanti për Programin e Partneritetit Shtetëror me IOËA-në, bashkëpunimi me Ekipin Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT) që është i atashuar në Ministri dhe Forcë si dhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in. Po ashtu gjeneral Rama i njoftoi mysafirët e lartë nga ShBA-të edhe me detyrat dhe planet që e presin FSK-në, me mision të ri – mision ushtarak, në ngritjen e strukturës dhe kapaciteteve operacionale, duke bashkëpunuar ngushtë me ShBA-të, me partnerët tjerë strategjik, NATO-n dhe vendet aleate”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.
Kurse kryesuesi i delegacionit të senatorëve nga ShBA-të, senatori James M. Inhofe ndër të tjera u shpreh se Kosova vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe për NATO-n.
“Jam i nderuar ta udhëheq delegacionin nga Kongresi amerikan, në Kosovë. Kosova është një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe për NATO-n, pasi që punojmë së bashku në ndalimin e rritjes së agresionit Rus në rajon”, citohet të ketë thënë senatori Inhofe.
Në delegacionin e senatorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përveç James M. Inhofe që është kryesues i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, kane qenë të pranishëm edhe senatorët: Michel B. Enzi; John N. Boozman; Marion Round; dhe përfaqësuesit Trent Kelly dhe Gregory Gianforte.
Sipas njoftimin të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, në takim shtetin tonë e kanë prezantuar me praninë e tyre edhe gjeneral major Gëzim Hazrolli, gjeneral brigade Enver Cikaqi dhe kolonel Jeton Dreshaj.