Selmanaj: Presidenti dhe përgjegjësit tjerë s’duhet të shpëtojnë nga përgjegjësia për turqit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka vlerësuar se kallëzimi penal ndaj 22 policëve për depërtimin e gjashtë shtetasve turq, është vetëm fillimi për të dalë para përgjegjësisë edhe ata që kanë dhënë urdhër dhe kanë përgatitur gjithë skenarin, qofshin krerët e institucioneve të sigurisë apo edhe të politikës.
Selamanj, i cili ka qenë nënkryetar i Komisionit Parlamentar Hetimor për rastin e depërtimit të shtetasve turq, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se nuk sheh që të tjerët po shpëtojnë, ani pse kallëzimi penal i bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), është vetëm për policët e përfshirë në aksionin për depërtimin e shtetasve turq.
Ai pret që përgjegjësit kryesorë të vijnë para drejtësisë, derisa ka ftuar prokurorinë që të vihet në lëvizje dhe të ngritë aktakuzë edhe për urdhërdhënësit, qofshin krerët e institucioneve të sigurisë apo të politikës.
“Sjellja e policëve ka qenë në suaza të caktuara jo në përputhje me ligjin për Policinë. Prandaj, kjo si iniciativë prej IPK-së, normalisht që duhet përshëndetur, po absolutisht është minimale në raport me atë çfarë duhet të ndodhë. Këtu duhet ish shefi i Policisë, Shpend Maxhuni, ish shefi i AKI-së Driton Gashi. Pastaj duhet të kalohet të përgjegjësit politik, ish ministri i Punëve të Brendshme, kryeministri, presidenti, kjo është hallka zinxhirore që duhet të ketë hetime dhe në fund të përfundojnë me aktakuzë nga ana e Prokurorisë. Këta janë personat që kanë orkestruar dhe kanë ndërtuar gjithë skenarin për të ndodhë depërtimi, dëbimi ose kidnapimi i kundërligjshëm i atyre shtetasve turq”, ka thënë Selmanaj për FaktePlus.
Deputeti Selmanaj me tutje ka shtuar se raporti i përgatitur nga Komisioni Hetimor Parlamentar është aq i detajuar sa që qysh nesër duhet të ngritëshin aktakuzat për përgjegjësit.
Mirëpo në qoftë se ndodhë amnistimi i ish krerëve të sigurisë dhe politikës, atëherë sipas Selmanajt kjo del se është skenar i përgatitur nga Prokuroria dhe politika që faji t’u hidhet vetëm policëve dhe nga kjo të shpëtojnë urdhërdhënësit kryesor.
“Nëse ndodhë që kjo të kufizohet vetëm me policët atëherë kjo del që është një plan krejtësisht i prokurorisë dhe i politikës i koordinuar, sepse këta dëshirojnë t’i amnistojnë ata, ndërkohë që duan gjithë barrën t’ia lënë policëve. Nuk është krejt barra vetëm e policëve, absolutisht jo, barra kryesore është tek orkestruesit, skenaristët, ata të cilët e kanë ndërtuar këtë projekt, këtë skenar. Normalisht pastaj nuk mund të amnistohen shkeljet që i kanë bërë edhe policët. Por, fillimisht duhet urdhërdhënësit, ata të cilët e kanë gatuar këtë projekt dhe nëse prokuroria nuk vepron atëherë ajo është pjesë e këtij skenari, ose është bërë pjesë e këtij skenari të tillë. Unë jam i sigurt që prokuroria do të vihet në lëvizje edhe tek personat tjerë, nuk guxon që kjo të ndalohet vetëm te policët, por pa i përjashtuar edhe ata”, ka theksuar Selmanaj.
Kujtojmë se raporti i përgatitur nga Komisioni Parlamentar Hetimor për rastin e depërtimit të shtetasve turq, ka kohë që është dërguar në Prokurorinë Speciale dhe sipas deputetit Selmanaj, përmban aq shumë fakte, sa që qysh nesër mund të ngritën aktakuzat për bartësit e institucioneve të sigurisë e politikës.
“Absolutisht, raporti i Komisionit Hetimor i votuar edhe nga seanca plenare, është aq i detajuar, aq i saktë, ku ka evidentuar 31 shkelje dhe unë jam i sigurt që vetëm në bazë të atij raporti mund të ngritin aktakuza që nesër për bartësit e institucioneve të sigurisë fillimisht e pastaj edhe bartësit e institucioneve politike. Në fakt punën me të madhe të prokurorisë e kemi kryer ne në bazë të asaj që kemi punuar. Nuk e di pse prokuroria pret një vit e gjysmë për të marrë masa, sepse ata nuk e kanë ndërmarrë asnjë masë”, ka deklaruar deputeti Selmanaj.
Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë ditës së djeshme ngriti kallëzim penal ndaj 22 policëve të cilët kishin marrë pjesë në arrestimin dhe depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Republika e Kosovës për në Turqi.
Kjo u bë pas me shumë se 1 vit e 4 muajve kur ndodhi ky aksion, i cili më pas bëri bujë të madhe në Kosovë, duke nxitur edhe reagimin e ambasadave të shteteve mike, për mënyrën se si ishin arrestuar dhe depërtuar nga Kosova për në Turqi./FaktePlus