Selimi takon Apostolovën: BE-ja përkrah Kosovën për fuqizimin e sistemit të drejtësisë
Ministri i Drejtësisë Selim Selimi sot ka pritur në takim njoftues Shefen e Zyrës së Bashkimit Europian, Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova.
Gjatë takimit, Selimi fillimisht njoftoi ambasadoren Apostolova me zhvillime të rëndësishme legjislative lidhur me Agjendën e Reformave Europiane.
Ai tha se Bashkimi Europian ka qenë përkrahës i madh i avancimit të agjendës europiane dhe fuqizimit të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Selimi shprehu përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të avancuar reformën legjislative dhe institucionale dhe për të zhvilluar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së që synon forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë uroi Ministrin Selimi për përgjegjësinë e re për të udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, ndërsa tha se BE-ja do të mbetet e përkushtuar për të përkrahur Kosovën për fuqizimin e sistemit të drejtësisë.