Selimi: Nesër nuk do të ketë protestë, megjithatë ato janë të pashmangshme
Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se tubimi i nesërm i ftuar nga partia e tij, nuk ka të bëjë me protesta.
“Nesër do të ketë një tubim që shënon dy data të rëndësishme dhe jo protesta. Këto tubime, më herët i kemi mbajtur në salla dhe palestra, por kësaj here mbahet në shesh. Do të jemi të kujdesshëm edhe sa i përket situatës me Covid 19”.
“Nesër, jo thjesht rikthehemi në shesh, por aty edhe njëherë ecim me hapa drejt një të ardhme, e cila gjithsesi do të jetë e identifikuar me sukseset e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Selimi ka thënë në Klan Kosova, se edhe pse nesër nuk do të ketë protesta, ato megjithatë janë të pashmangshme.
“Nesër ka tubim që shënon 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes. Ne, siç kemi thënë ashtu ka dalë. Edhe në test-protestat doli siç kishim qëllim, edhe pse edhe atëherë kishte tendencë për të alarmuar rrejshëm që manifestimi do të dilte keq”.
Megjithatë sipas Selimit, edhe ajo test – protestë që u organizua, doli pikërisht ashtu siç u paralajmërua nga Vetëvendosja.
“Inicimi ka qenë nga qytetarët dhe personalitete tjera të shoqërisë civile, ndërsa VV e ka mbështetur. Nuk e kemi fshehur mbështetjen”, është shprehur Selimi.