Selimi: Lufta kundër korrupsionit, patriotizmi i kohës sonë
Ministri Selimi në takim me Havolli, është njoftuar me aktivitetet dhe prioritetet e Agjencisë Kundër Korrupsion, natyrën e rasteve të trajtuara nga kjo Agjenci dhe njëherit u informua me angazhimin që ky institucion bën në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë si dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të cilat ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit. Po ashtu z. Havolli e ka njoftuar Ministrin Selimi me nismën për hartimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2021 – 2025.
Lufta kundër korrupsionit është detyrë e të gjitha institucioneve të drejtësisë, u shpreh Ministri Selimi. Ai tha se jemi duke punuar brenda përgjegjësive tona për të siguruar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në këtë drejtim.
“Lufta kundër korrupsionit me të drejtë konsiderohet si patriotizëm i kohës sonë dhe ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në këtë betejë të përbashkët. Jemi të vetëdijshëm se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës presin që institucionet e vendit, sidomos ato të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, integritet dhe transparencë gjatë vendimmarrjes. Prandaj përfshirja e të gjithë akterëve relevant do i bëjë edhe më efikase përpjekjet e gjithsecilit në luftën kundër korrupsionit” tha Selimi.
Havolli ka vlerësuar nismat për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe u shpreh se janë të gatshëm për të bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë veçanërisht në aktivitetet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit.