Sekretari i Nismës: Limaj kandidati më i përgatitur për ta udhëhequr Kosovën
Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, gjatë fjalimit të tij në një mbledhje me elektoratin në Prizren ka thënë se kandidati i tyre për kryeministër është ndër të paktët që gjithë jetën ka punuar për vendin.
Sherifi u bëri thirrje anëtarëve të Nisma Socialdemokrate që të mos ndalen së kërkuari votën për Fatmir Limajn.
“Kemi nevojë që ne këtu që jemi të dalim shtëpi për shtëpi, lagje për lagje dhe të mos ndalemi së kërkuari mbështetje për kandidatin tonë për kryeministër. Le të jenë këto zgjedhje referendum, jo për partitë, po për kandidatët, le të jenë këto zgjedhje si një garë ku të mos shihen vetëm partitë apo kandidatët, por të shihet cili nga këta kandidatë është më i përgatituri ta udhëheqë qeverinë e Kosovës në vitet që po hyjmë. Ne jemi të bindur që ky është Fatmir Limaj”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i degës në Nismës në Prizren, Zafir Berisha tha se duhet një mobilizim i të gjithëve që ta bëjnë projektin e Nismës fitues dhe Fatmir Limajn kryeministër.
Kandidatët për deputetë nga Nisma të regjionit te Prizrenit janë Zafir Berisha, Albulena Bala-Halimaj, Afrim Bekteshi, Arbana Hajdari, Shukri Quni, Hasan Ahmetaj, Afrim Tejeci dhe Adem Qemajli.