Sejdiu: Aktiviteti i bizneseve nuk duhet të ndalet, të rritet përkrahja e prodhimeve vendore
Njohësi i çështjeve ekonomike Dardan Sejdiu, ka folur për krizën e mundshme ekonomike që mund të shkaktohet në Kosovë si pasojë e pandemisë Covid-19.
Sejdiu në Klan Kosova tha se aktiviteti ekonomik i bizneseve nuk duhet të ndalohet.
“Deri më katër maj konsumi do të vazhdojë të bie, kërkesa agregate e konsumit do të vazhdojë të bie. Deri atëhere ka shpresa që mund te filloj aktiviteti ekonomik. Ekziston një diskutim: Ku ka pasur masa që kanë ndalë krejt aktivitetin ekonomik ? Në Lombardi ka pasur goditje më të madhe të pandemisë por fabrikat kanë punuar. Nuk kemi të bëjmë vetëm në marrjen e masave por edhe ruajtjen e mirëqenies “.
Ai theksoi se tani duhet të fillohet të mendohet pë rritjen e përkrahjes së prodhimeve vendore dhe eksportit.
“Qysh mundemi me injektua para në ekonomi me anë të prodhimit. Po ashtu duhet të fillojmë të mendojmë se si të stimulojmë edhe eksportin. Kompanitë jashtë kanë filluar të mendojnë se si të krijojnë hapësira në raftet e tyre për produktet vendore dhe ne duhet të rrisim këtë atë dhe të rrisim po ashtu edhe përkrahjen për eksportin Duhet të mendojmë se si të fusim edhe më shumë në përdorim teknologjinë “.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës shtoi se rritja e kërkesës agregate bëhet duke shtuar projektet që i financon qeveria.
“Shteti në kohëra në të mira nuk ka nevojë të intervenojë në ekonomi, në kohëra të mira biznesi duhet t’i thotë shteti. Edhe kufizimi i lëvizjes ndikon në konsumin e përgjithshëm tek bizneset. Në këtë kohë mund të bëjmë edhe rritjen e punëve publike. Edhe thjeshtëzimin e procedurave për Prokurimin Publik. Rritja e kërkesës agregate bëhet me rritjen e projekteve nga shteti, duhet të krijojnë projekte që rrisin kërkesën “.