Së shpejti tatim për arat që nuk punohen në Kosovë
Institucionet e vendit po planifikojnë që së shpejti të nisin aplikimin e tatimit për të gjitha tokat bujqësore të cilat nuk punohen. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në një përgjigje dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus bëri të ditur se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të paguajnë tatim në pronë.
Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë, në pronësi të tatimpaguesit e pronësia e këtyre tokave bujqësore përcaktohet në dokumentet që e vërtetojnë atë.
Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) tregojnë se ky projekt është i financuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe presin që të fillojë sipas planifikimeve të zbatohet.
“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në vitin 2020”, thuhet mes tjerat në përgjigjen e MBPZHR.
Përveç kësaj, fatura e tatimit në pronë për qytetarët nga ky vit do të përfshijë edhe tatimin në parcela, i cili për të evituar rritje të larta të papritura të tatimit, tatimi në tokë do të implementohet gradualisht përgjatë katër viteve.
Për rregullimin e pagesës së këtyre pronave bujqësore, MBPZHR ka paraparë që Kuvendet Komunale të caktojnë normat tatimore për të gjitha kategoritë e pronave, me përjashtim të kategorisë që është pronë publike.
“Kuvendi komunal duhet t’i rishikojë normat e caktuara dhe të caktojë norma të reja tatimore, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkojnë rrethanat”.
Edhe pse ky projekt është i financuar dhe hartuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë, ekspertët e bujqësisë nuk e kanë mirëpritur këtë nismë.
Tahir Tahiri nga Shoqata e Bujqve të Kosovës ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.
Tahiri thekson se kjo praktikë është e gabuar për sistemin e Kosovës dhe se vështirë do të mund të implementohet.
Ai thotë se shumica e njerëzve kanë hequr dorë nga punimi i tokës bujqësore për arsye të ndryshme.
“Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë. Shumë toka nuk janë në emër të pronarëve të tyre, edhe ka probleme të shumta. Ato procedura dëshirojnë cilësi dhe saktësi”, është shprehur Tahiri.
Numri një i shoqatës së bujqve të Kosovës, konsideron po ashtu se mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.
Ai thotë se shumë toka bujqësore nuk punohen edhe për arsye të mungesës së fuqisë punëtore.
“Ka njerëz të cilët janë të sinqertë edhe nuk e punojnë tokën, njerëzit nuk kanë krejt mekanizim për të punuar tokën shumë prej tyre kanë dhanë pare me punu tokën edhe tash nuk kanë nxjerrë fitime dhe i kanë lanë tokat pa punuar. Problem tjetër është edhe migrimi i të rinjve, 60 për qind e tokave sot nuk punohen në mungesë të fuqisë punëtore. Ai aplikim i tatimit është totalisht i gabueshëm, kanë me pas probleme njerëzit e sinqertë. Qytetarët e vendit janë në hall për këtë punë dhe mendoj që është e gabuar”, është shprehur Tahiri.
Ndryshe në Kosovë, sipas Regjistrimit të Bujqësisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikuar në muajin mars të vitit 2015 sipërfaqja e tokës bujqësore është gjithsej 512 000.29 hektarë.
Ndërkaq, ekonomitë bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 413 635 hektarë tokë bujqësore./FaktePlus