Së shpejti hapen çerdhet në Kosovë, këto janë datat e mundshme
Institucionet arsimore, objekte fetare, kulturore e biznese të ndryshme u mbyllën detyrimisht për shkak të rrezikut nga përhapja e Koronavirusit.
E kjo solli shumë probleme në jetën e qytetarëve, sidomos për ata që kanë fëmijë e të dy prindërit janë në marrëdhënie pune.
Pas gati tre muajsh nisi rihapja graduale e disa bizneseve. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë që po udhëhiqet nga Arben Vitia, mori vendim edhe për rihapjen e objekteve fetare. Por nuk u morë vendim edhe për hapjen e institucioneve arsimore.
E kjo ka nxitur reagimin e prindërve. Ata po kërkojnë që të shqyrtohet sa më parë rihapja e institucioneve parashkollore.
FaktePlus merr vesh se institucionet parashkollore të hapen më 2 ose më 4 qershor.
“ Me 2 ose 4 qershor po presim me çel çerdhen. Na, nga sot veç ia kemi nis mu bë gati. Kështu kemi marr vesh e po besojmë qe edhe po çelen”, ka thënë për FaktePlus një punëtore e një çerdheje private.
Për rihapjen e çerdheve ishte edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ditë më parë, përmes rrjetit social “facebook” ai propozoi për rihapjen e tyre.
Ahmeti ka shkruar se Komuna e Prishtinës ka qenë e para që ka kërkuar masat restriktive më 6 mars, gjë për të cilën sipas tij ka pasur të drejtë.
“Është koha që Kosova të intensifikojë rihapjen dhe të veprojë sipas situatës epidemiologjike. Fokusi i masave duhet të jetë: Rihapja e çerdheve dhe rihapja graduale e shkollave (klasat 1-5 fillimisht)” ka shkruar Ahmeti ndër të tjera.
Për këtë çështje, ditë më parë ka folur për Fakte Plus edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, e cila tha se i kanë disa ide se si mund të hapen çerdhet, por asnjë vendim nuk mund të merret pa vlerësimin e situatës.
“Do të ulemi dhe ta diskutojmë dhe vendimet merret në bazë të gjendjes pandemike. Por, në qoftë se duhet të mbahet distanca në çerdhe atëherë sigurisht se është pak problem të mbahet distanca mes fëmijëve. Ndoshta duhet të kufizohet numri i fëmijëve në kopshte”, ka thënë ajo.
Megjithëkëtë, të shtunën Bajrami deklaroi përsëri se tash për tash nuk mund të hapen çerdhet sepse Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë dhënë përgjigje pozitive.
Ajo ka shtuar se gjithçka do të vendoset në fund të këtij muajit kur dalin rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë. Kështu, edhe mund të hapen çerdhet, ashtu siç ka marr vesh FaktePlus.
Ndërsa, ministria e Shëndetësisë si institucioni përgjegjës për masat e marra gjatë kohës së pandemisë nuk kanë treguar se kur do të hapen çerdhet.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Viti, ka thënë dje se shkollat dhe çerdhet do të hapen por nuk ka bërë të ditur datën kur do të rifillojë procesi mësimor.
Ai tha se në lehtësimin e masave do të përfshihen edhe çerdhet dhe shkollat. Ministri Vitia nuk ka caktuar datën, por ka premtuar kthimin në normalitet brenda ditëve të ardhshme.
“Unë do të doja shumë që t’i heqim të gjitha masat dhe të kthehemi në normalitetin që e kemi njohur më herët, por derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse duhet të forcohen vazhdimisht. Shkollat dhe çerdhet do të hapen, por maskat, distance dhe higjiena duhet të bëhen pjesë e domosdoshme. Shkollat dhe çerdhet do hapen por masat e higjiena do të jenë të domosdoshme. Objektet fetare po hapen por duhen masat domosdoshmërish. Kufijtë do hapen por masat mbrojtëse sigurisht do shtohen. Përgjegjësi individuale dhe kolektive, kjo është përgjigja më e mirë që mund t’i japim virusit”, ka deklaruar ministri Vitia./FaktePlus/