Së paku 11 të vdekur nga rrëshqitja e dheut pas reshjeve në Ekuador
Një rrëshqitje e madhe dheu, e nxitur nga reshjet më të dendura të shiut në gati 20 vitet e fundit, ka lënë të vdekur të paktën 11 persona në kryeqytetin e Ekuadorit, Quito, thonë zyrtarët.
Balta dhe gurët u lëshuan poshtë shpateve të vullkanit “Pichincha”, që ndodhet afër kryeqytetit, duke “gëlltitur” tetë shtëpi dhe duke marrë vetura me vete. Të paktën 32 persona janë lënduar.
Ekspertët e motit thonë se sasia e shiut që ka rënë në këtë zonë ka qenë gati 40 herë më e lartë se parashikimi, shkruan BBC.
“Pashë se si rrjedha mori një burrë dhe një fëmijë. Ishte e tmerrshme”, tha banori Belen Bermeo për gazetën “El Universo”.
Shërbimet emergjente publikuan një video ku shihet shkatërrimi i shkaktuar nga vërshimet. Disa shtëpi janë dëmtuar në atë zonë, ndërsa zyrtarët dhe policia janë duke punuar në vendin e ngjarjes.
Kryetari i qytetit Quito, Santiago Guarderas, tha se reshjet e së hënës ishin “shifër rekorde”, që nuk është parë nga viti 2003.
Sipas raportimeve, autoritetet janë duke e planifikuar edhe angazhimin e ushtrisë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.