Scott sqaron qëndrimin e Donald Trumpit për Kosovën dhe Serbinë
Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott ka deklaruar se ShBA nuk po i tërheqë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për zgjidhjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se çelësi për Beogradin dhe Prishtinën është që të kthehen në tryezën e bisedimeve.
Scott ka deklaruar për gazetën serbe Kurir se do përkrahet çdo zgjidhje për të cilën merren vesh dyja palët, dhe e cila mund të zbatohet dhe të jetë e përhershme.
“Ne nuk tërheqim vija të kuqe, nuk caktojmë se çfarë duhet të ndodhë, nëse është ajo çfarë merren vesh ata, stabilizuese për rajon, nëse mund të zbatohet dhe nëse është e përhershme, atëherë me siguri do ta përkrahim atë. Por presim që palët vet të arrijnë marrëveshje nën mbikëqyrjen e BE”, ka thënë ambasadori i ShBA-së.
Duke theksuar se taksa të cilën e ka vendosur Prishtina e kanë penguar vazhdimin e procesit negociator, Scott ka thënë se ato duhet të suspendohen.
“Ne nga Kosova kërkojmë që ato të suspendohet për një periudhë e cila mundëson vazhdimin e negociatave. Shpresoj se do të na dëgjojnë”, ka thënë ambasadori i ShBA në Serbi.
Në pyetje përkitazi me marrëdhëniet e ShBA me Kosovën, Scott është përgjigjur:
“Nuk bëhet fjalë për dyshimin në përkushtimin tonë për partneritet me Kosovën, nuk bëhet fjalë për përkrahjen tonë për sovranitetin e tyre dhe ky është element i politikës së përgjithshme për këtë rajon, e që është stabiliteti, që do të thotë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin marrëdhëniet e tyre”.
Ai ka përsëritur qëndrimin e presidentit të ShBA, Donald Trump se Kosova dhe Serbia duhet të merren vesh për normalizim të marrëdhënieve dhe se në zemër të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë marrëveshje mbi njohje të ndërsjellë.
Ambasadori amerikan tha se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë edhe shumë gjëra tjera, siç janë marrëveshja për marrëdhënie ekonomike, zgjidhjen e statusit të kishës ortodokse serbe, çështjen e personave të zhdukur, krimet e luftës, e të tjera./FaktePlus