Scott: Palët duhet të kthehen në dialog, zgjidhja në duart e Beogradit dhe Prishtinës
Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kyle Scott ka thënë se askush nuk do të duhej të diktonte se si do të duhej të dukej zgjidhja e kontestit ndërmjet Kosovës e Serbisë, por zgjidhja duhet të arrihet ndërmjet dy vendeve përmes bisedave të drejtpërdrejta.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe askush tjetër, nuk duhet të diktojnë se si do të duhet të dukej ajo zgjidhje”, u shpreh Scott gjatë një interviste me të përditshmen serbe “Blic”, duke u përgjigjur në pyetjen nëse zgjidhja qëndron tek korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, është me rëndësi që Serbia dhe Kosova të kthehen në dialog dhe për këtë arsye ShBA ka dërguar porosi të qartë tek Qeveria e Kosovës ta tërhequr vendimin për taksë ndaj mallrave serbe.
“Atë porosi qartë ua kemi dërguar partnerëve tanë në Kosovë. Po ashtu, mendojmë se për rikthim në dialog është e rëndësishme që Serbia të luajë rolin e saj në mënyrë që procesi të shkojë përpara, të implementohen marrëveshjet e arritura më herët dhe të konsiderohen kompromiset për të ardhmen”, u shpreh Scott.
I pyetur nëse ShBA do të ndërmarrë hapa të tjerë ndaj Kosovës, ai u përgjigj se: “Nuk është në rregull të spekulohet për veprimet potenciale”, por shtoi se: “SHBA do t’i vazhdojë përpjekjet që ta nxisë Qeverinë e Kosovës t’i tërheq vendimet që paraqesin pengesë për rikthim në tavolinën e negociatave”.
“Edhe po, ekzistojnë opsione të tjera që mund të përfshihen por mendoj se është shumë më e rëndësishme të fokusohemi në anën pozitive, siç janë tejkalimi i pengesave, rikthimi në tavolinën e negociatave, përqendrimi në dialog dhe arritja e marrëveshjeve të pranueshme nga të gjitha palët nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, që do të krijojë kushtet për normalizimin e raporteve. Ky është synimi ynë. Në këtë mënyrë do të forcohet stabiliteti në Ballkan, e kjo është në interes të Serbisë, Kosovës si dhe SHBA-së”, ka thënë mes tjerash Scott.