SBASHK-u në protestë më 4 dhjetor
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka njoftuar se më 4 dhjetor do të protestojnë kundër qasjes së Ministrisë së Arsimit ndaj kërkesave të tyre, veçmas siç kanë thënë ata, ndaj bllokimit me qëllim nga ministrja, Arberie Nagvci, të negocimit për kontratën e re kolektive të arsimit.
Sipas komunikatës, llogaritet se në këtë protestë do të marrin pjesë rreth 2000 protestues dhe ajo do të nisë para Ministrisë së Arsimit e pastaj do të marshohet drejt Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës.
“Pas takimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, në të cilin është analizuar situata aktuale dhe janë thënë kritika të ashpra e të arsyeshme ndaj Qeverisë dhe veçmas ndaj ministrisë së Arsimit për mungesë të dialogut dhe për shkak të qasjes të gabuar ndaj kërkesave legjitime të anëtarësisë së SBASHK-ut dhe veçmas ndaj bllokimit me qëllim të Ministres Nagvci të negocimit për Kontratën e re Kolektive të Arsimit, në orët e mbrëmjes së të dielës është mbajtur takimi konsultativ me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve dhe të gjithë kanë ripërsëritur vendimin e Këshillit Drejtues për të filluar me veprime sindikale. U vendos që veprimi i parë sindikal të jetë protesta më 4 dhjetor me pjesëmarrjen e kryetarëve dhe kryesive nga të gjitha shoqatat sindikale që nga çerdhet e deri në universitete, të anëtarëve të Këshillit Drejtues, të kryetarëve e kryesive të nivelit komunal sindikal e të universiteteve dhe të kryesisë qendrore duke qenë rreth 2000 protestues. Kjo protestë do të nisë para”, thuhet në komunikatë.
SBASHK-u ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh atëherë do të vazhdojnë edhe me veprime të tjera sindikale, duke përfshirë edhe grevën.
“Ky do të jetë veprim i parë sindikal pas protestës së 1 majit të këtij viti dhe përpjekjeve të vazhdueshme për dialog, dhe do të vazhdohet edhe me veprime të tjera sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën në tërë sektorin e arsimit nëse Qeveria dhe në veçanti Ministria e Arsimit nuk reflekton dhe nuk nisë negocimin për Kontratën e re Kolektive të Arsimit”, thuhet në komunikatë.