SBAShK: Nuk kemi kërkuar mosdekretimin e Ligjit për Paga, por nuk jemi kundër
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBAShK) ka reaguar lidhur me raportimet e disa mediave se kjo organizatë ka bërë kërkesë tek presidenti për mosdekretimin e Ligjit për Paga.
Edhe pse thonë se nuk kanë kërkuar mosdekretim, në reagimin SBAShK-u thekson se nëse presidenti i Kosovës nuk e dekreton Ligjin e pagave, nuk do të jetë kundër, pasi që edhe gjatë grevës një prej opsioneve të SBAShK-ut ishte edhe tërheqja e Projektligjit të pagave dhe kthimi i tij në Qeveri.
“Kështu do të ulen institucionet, sindikatat dhe punëtorët dhe do ta bëjnë një Ligj të ri të pagave ku mësimdhënësit do t’i rangonte në vend meritor dhe do të ishte një ligj i pagave i pranueshëm nga të gjithë sektorët publik”, njofton SBAShK.
Kjo sindikatë bëri të ditur se mësimdhënësit e arsimit fillor janë të pakënaqur me koeficientin e tyre në Ligjin e pagave, pasi ata kanë koeficientin për 0.15 më të vogël se arsimi i mesëm i ulët.
“Ata nëse duan të shkojnë përmes SBAShK-ut duhet t’i drejtohen së pari kryetarit sindikal të shoqatës, kryetarit të sindikatës së arsimit fillor të Kosovës e deri në kryesinë e SBASHK-ut për gjetjen e një zgjidhje më të mirë të mundshme edhe për nivelin fillor. Nëse mësimdhënësit e arsimit fillor bëjnë kërkesë për mos dekretim të Ligjit, ne prapë nuk jemi kundër”, njofton Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës.