Sassoli: Ribashkimi gjerman shënoi fillimin e një Evrope të re
Ribashkimi i Gjermanisë, 30 vjet më parë, shënoi fillimin e një Europe të re dhe më të fortë, theksoi presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.
“Sot, ndërsa qytetarët tanë dhe ekonomitë tona po përballen me sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, duhet të rikujtojmë mësimet e historisë”, shtoi ai.
” Të bashkuar mund të fitojmë çdo sfidë”, nënvizoi presidenti i Parlamentit Europian,David Sassoli në mesazhin e tij në Twitter.
Ribashkimi gjerman ishte një ngjarje e madhe për historinë e Europës, sipas presidentit rus, Vladimir Putin.
Shefi i Kremlinit theksoi se ”ribashkimi i Gjermanisë ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë europiane”.
Gjermania feston sot 30-vjetorin e ribashkimit të vendit me pak aktivitete për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Frank-Walter Steinmeier do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare në Ditën e Unitetit Gjerman, që do të zhvillohet këtë vit në qytetin historik të Potsdamit, rreth 25 kilometra në jugperëndim të Berlinit.
Një program njëmujor që shënon përvjetorin e ribashkimit të kombit drejt fundit të Luftës së Ftohtë ka filluar që në ditët e para të shtatorit në Potsdam.
Zyrtarët në qytetin pritës të këtij viti zgjodhën një varg ngjarjesh më të vogla sesa një festë të madhe publike për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
“Ky përvjetor është një rast për gëzim dhe mirënjohje të madhe”, tha Merkel në një fjalim në parlament të mërkurën.
Ajo gjithashtu i bëri homazhe popullit gjerman “për arritjen historike dhe të paparë … të përmbushjes së ribashkimit si brenda ashtu edhe jashtë, gjatë këtyre 30 viteve”.