Sarrazin: Kosova duhet të krijojë mundësi për investitorë dhe të përfitojë nga tregu i përbashkët rajonal
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin po merr pjesë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar.
Sarrazin u shpreh se për Kosovën s’ka ende lajme të reja sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, kur kanë mbetur edhe dy javë në shënimin e 10-vjetorit të këtij procesi.
Ai tutje theksoi se Gjermania ekonomikisht dhe politikisht është ndër partnerët kryesor të Kosovës, duke shtuar se shteti gjerman beson në potencialin që ka Kosova.
Sarrazin shtoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë bashkë në tregun e BE-së.
Sipas tij, shumë investitorë po investojnë në Serbi, prandaj edhe Kosova duhet të krijojë parakushte për një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të punohet për një treg të përbashkët rajonal që mundëson zhvillim.
“Nëse shohim zgjerimin e Bashkimit Evropian, e shohim se ka qenë i suksesshëm gjatë vitit 2014-17. Të gjitha ekonomitë në Ballkan nuk janë një treg i mjaftueshëm që të vijë një kompani. Shumë investitorë shkojnë në Serbi, pra ne duam që kjo të ndryshojë dhe investitorët duam që të vijnë në Kosovë dhe të krijohet një treg i përbashkët rajonal”, tha Sarrazin.
Sarrazini është i vetëdijshëm për problemet që ka Kosova me Serbinë, por u shpreh se “duhet treguar rajonit se zhvillimet pozitive janë të mundshme”.
“Për ne, për qeverinë gjermane, angazhimi ynë në Kosovë është strategjik. E shohim në rrafshin politik të sigurisë”, ka potencuar ai.
Në forum morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadori gjerman Jorn Rohde.