Sanders i mbledh afro 1.5 milion euro për bamirësi nga fotoja e tij e famshme
Fotografia e famshme e senatorit Bernie Sanders në inaugurimin e Joe Bidenit si president i Shteteve të Bashkuara dhe dorezat e tij me një gisht bënë që të mblidhen 1.8 milionë dollarë ( apo afro 1.5 milion euro) për pesë ditë për organizata të bamirësisë në vendlindjen e tij, Vermont.
Kjo shumë u arrit nga shitja e mallrave me fotografinë e bërë më 20 janar, ku Sanders shihet i vetmuar, me maskë dhe doreza, gjatë inaugurimit të presidentit të ri amerikan.
Sanders i vendosi në uebfaqen e tij disa mallra me fotografinë e famshme të enjten në mbrëmje dhe grupi i parë i mallit u shit për më pak se 30 minuta, njoftoi vetë senatori.
Malli u shtua gjatë fundjavës, por u shit i tëri përsëri të hënën në mëngjes, shkruan Associated Press.
“Jane dhe unë u mahnitëm nga i tërë kreativiteti i shfaqur nga shumë njerëz gjatë javës së kaluar dhe neve na vjen mirë që mund ta përdorim famën time në internet për t’i ndihmuar vermontasit në nevojë”.
“Por as kjo shumë e parave nuk është zëvendësim për veprim nga Kongresi dhe unë do të bëj gjithçka që mundem në Uashington për t’u siguruar që punëtorët në Vermont dhe në mbarë vendin ta marrin ndihmën që u nevojitet në mesin e krizës më të rëndë me të cilën jemi përballur që nga Depresioni i Madh”.