Salla e sportit shfrytëzohet për panaire, koncerte e tubime politike, sportistët mbesin jashtë
E vetmja sallë në Prishtinë ku sportistët e kryeqytetit mund të stërviten dhe të përgatiten për lojërat tyre nuk është duke u shfrytëzuar nga ta, por nga persona tjerë që po zhvillojnë aktivitete biznesi. E kjo po u kushton klubeve sportive, pasi janë detyruar të paguajnë salla private për të kryer përgatitjet sportive.
Pallati i Rinisë “Adem Jashari”, ka kohë që ka kaluar në menaxhimin e komunës së Prishtinës, e cila i ka zgjedhur edhe personat që drejtojnë atë. Por, menaxhmenti aktual po vazhdon praktikën e mëparshme, duke lënë herë pas here sportistët jashtë pallatit.
Për katër ditë radhazi klubet sportive nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë sallën në Pallatin e Rinisë, pasi që kjo po shfrytëzohet nga një biznes privat për zhvillimin e një panairi të quajtur “Expokos”.
Panairi Expokos, i cili është hapur nga 16 prilli vazhdon deri në mbrëmjen e sotme. Kështu së paku tri ditë sportistëve nga kryeqyteti, sidomos hendbollistëve u është pamundësuar stërvitja në sallë.
Njëri nga anëtarët e Klubit të Hendbollistëve Prishtina ka thënë për FaktePlus se bllokimi i sallës sportive me aktivitete të bizneseve dhe politikës është bërë një traditë e zakonshme.
Ai tha se kjo po u kushton sportistëve, pasi që për t’i kryer stërvitjet detyrohen të paguajnë salla tjera private.
“Thuajse është bërë e zakonshme, që 20 vite bëjnë ashtu. Punëtorët, menaxherët vendosin çka duan të bëjnë zakonisht. Po na dëmtojnë se po duhet të shkojmë për stërvitje në salla tjera, pra të paguajmë salla tjera dhe transportin, ushqimin etj. Kësaj here 4 ditë i kemi humb, ndërsa ne kemi derbin së shpejti”, tha sportisti.
Më tej, ai vlerëson se tubimet e shpeshta politike, mandej koncertet e panairet që po mbahen në ssallën e Pallatit të Rinisë po e dëmtojnë edhe investimin në dysheme që është bërë prej qindra mijëra euro.
“Kjo është praktikë prej që ekziston salla, ose janë mbajtur tubime politike, ose janë mbajtur koncerte, dhe tash panaire. Në sallë është investuar në parket me qindra mijëra euro, e shkatërrojnë parketin edhe nuk mundet me pas lojëra. Mandej, na dënojnë federatat e huaja, prapë dëmtohen edhe sportistët edhe klubet. Ata po bëjnë biznes. Panairi Expokos, e ka bërë si bahshqe të babës”, tha ai.
Përveç kësaj, Klubi i Hendbollistëve të Prishtinës ka lëshuar edhe një reagim, duke kritikuar ashpër një dukuri të tillë.
Në reagim thuhet se shumica klubeve po harxhojnë ekstra mjete për të ruajtur vazhdimësinë e stërvitjeve dhe lojërave në kampionate dhe se kjo duhet të ndalohet.
“Klubet e Prishtinës e kanë vetëm një sallë ku mund të stërviten dhe ajo vazhdon të shfrytëzohet dhe dëmtohet për organizime të ndryshme që nuk kanë të bëjnë me sportin. Që nga e hëna sportistët e shumtë nuk kanë mundësi shfrytëzimi të sallës. Shumica e klubeve duhet të harxhojnë ekstra mjete që të ruajnë kontinuitetin e stërvitjeve dhe lojërave në kampionate e po ashtu salla dhe palestra në përgjithësi po dëmtohet edhe më shumë. Deri kur?!!”, thuhet në reagimin e tyre.
Në lidhje më këtë dukuri Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët e komunës së Prishtinës, pasi Pallati i Rinisë “Adem Jashari”, ka kohë që ka kaluar në menaxhimin e saj.
Por, zyrtarja për informim në Prishtinë, Miranda Mullafazliu tha se nuk kanë informacione se çfarë është duke ndodhur në sallën e sportit dhe se për këtë çështje duhet të flasin drejtuesit e Pallatit të Rinisë.
Edhe përkundër disa tentimeve të redaksisë, drejtori i Pallatit të Rinisë dhe vartësit e tij nuk janë përgjigjur./FaktePlus