Sala do të kujtohet edhe sonte, në ndeshjet e Ligës së Kampionëve
Para ndeshjeve të kësaj jave në Ligës e Kampionëve dhe në Evropa Ligë, do të mbahet një minutë heshtje për ta përkujtuar Emiliano Salan.
Sala, i cili u transferua në Cardiff City nga Nantes gjatë afatit kalimtar të janarit, për 17 milionë euro, vdiq kur aeroplani i tij u rrëzua mbi Kanalin Anglez muajin e kaluar, vetëm dy ditë pasi kishte nënshkruar me klubin e tij të ri.
Vdekja e tij u konfirmua javën e kaluar kur trupi i tij u nxjerr nga rrënojat e aeroplanit, në fund të detit afër ishullit Guernsey. Ndërsa, trupi i pilotit David Ibbotson ende nuk është gjetur.
“Në emër të të gjithëve në UEFA, do të doja t’i shprehja ngushëllimet më të thella për familjen dhe të gjithë të afërmit e Emiliano Sala. Jam thellësisht i pikëlluar që jeta e tij iu rrëmbye kaq mizorisht në moshë kaq të re”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
UEFA gjithashtu e ka konfirmuar se klubet do ta mbajnë të veshur një shirit të zi në kujtim të sulmuesit argjentinas.
Një faqe për grumbullimin e fondeve për ta vazhduar kërkimin e David Ibbotson, i cili po e drejtonte aeroplanin që po e barte futbollistin argjentinas kur u rrëzua në Kanalin Anglez, u hap të premten, transmeton Gazeta Express.
Fituesi i Kupës së Botës dhe ylli i Parisit, Kylian Mbappe Lottin, dhuroi 27 mijë funte nën emrin Elie Lottin. Para ka dhuruar edhe legjenda e Anglisë dhe barcelonës, Gary Lineker. Deri tani janë grumbulluar 120 mijë funte, ndërsa synimi i është të mblidhen 300 mijë funte.