Rrjeti social Facebook fajësoi “një ndryshim të gabuar në konfigurim” për një bllokim gati gjashtë orësh që parandaloi tre miliardë e gjysmë përdoruesit e tyre që të hynin në mediat sociale dhe shërbimet e mesazheve si WhatsApp, Instagram dhe Messenger.

Megjithatë, pasi u rikthyen në funksion, Facebook përmes një njoftimi zyrtar, kërkoi falje të gjithë përdoruesve për atë se çfarë ka ndodhur.

“Ne kërkojmë falje për të gjithë ata që janë prekur dhe po punojmë për të kuptuar më shumë për atë që ndodhi sot, në mënyrë që të vazhdojmë ta bëjmë infrastrukturën tonë të tillë që e merr veten shpejt”, thuhej në njoftim.

E, rënia nga sistemi e këtyre tri platformave u vërejt edhe nga përdoruesit në Kosovë, të cilët u shprehën të shqetësuar për mos funksionimin e tyre.

Problemi në qasje të këtyre platformave më së shumti ka ndikuar edhe tek bizneset, të cilët marketingun e bëjnë në mënyrë digjitale.

Nektar Qorri nga kompania Hallakate, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se e keqja e bizneseve është se nuk kanë prezencë online edhe në platforma tjera, përveç Facebook dhe Instagram.

“Pas problemeve që janë shfaqur dje në platformat Facebook, Instagram dhe Whatsapp, ka pasur një mosfunksionim të këtyre platformave edhe janë shfaqur shumë probleme sidomos në Kosovë duke e ditur se shumica e popullatës veç i përdor këto platforma, në të njëjtën kohë shumica e bizneseve kanë prezencë online në Facebook dhe Instagram. Mirëpo një e keqe  është këtu se nuk e kanë të shtrirë prezencën e tyre online në kanale të ndryshme të marketingut digjital, pra nuk janë prezent në platforma tjera përveç Facebook dhe Instagram, si dhe nuk kanë websajt”, ka thënë ai.

Qorri tha se bizneset duhet të përmirësojnë strategjinë e tyre, dhe të mos varen vetëm nga një kanal.

“Kjo përbën problem për shkak se nëse zgjatë më shumë kjo mbyllje e platformave atëherë shumica e bizneseve mbesin pa prezencë online fare, për me i evitu këto e mos me u varë prej një kanali të vetëm është mirë që bizneset me përmirësu strategjinë e tyre, duke ndërtuar sajtin e tyre, me i mbajt informatat zyrtare për blerje online, me qenë prezent edhe në platforma tjera si p.sh Telegrafi, ose Google, ku ofrojnë reklama online. Dhe në këtë mënyrë, prezenca është më e kompletuar, dhe nuk varesh vetëm prej një platforme nëse ka probleme, kjo nuk ndikon në shitje”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, largimi i Facebook-ut nga rrjeti global ishte goditja e dytë për atë gjigant të mediave sociale në disa ditë pasi një sinjalizues të dielën akuzoi kompaninë se shpesh favorizonte fitimet në vend që të shtypte gjuhën e urrejtjes dhe dezinformatat.

Ndërsa bota u mbush me aplikacione konkurruese si Twitter dhe TikTok, aksionet e Facebook ranë 4.9 për qind, rënia e tyre më e madhe ditore që nga nëntori i vitit të kaluar.