Sa është e vështirë të jesh nënë e tre fëmijëve dhe komandante e policisë, tregon Vjollca Hoti
E guximshme por me plotë butësi. E vendosur, e me plotë durim. Strikte në kërkesat e saj, por e hapur për këshilla.
Është kjo komandantja e Policisë së Kosovës, Vjollca Hoti, e cila për 18 vite radhazi është pjesë e organizatës që gëzon besimin e plotë të qytetarëve.
“Mëngjeset janë të vështira, ku vazhdimisht në shtëpinë tonë dëgjohet fjala MAM nga fëmijët”, kështu e nis rrëfimin për FaktePlus komandantja e stacionit policor të Fushë Kosovës, që është nënë e tre fëmijëve, Erzës, Diarit dhe Duas 2 vjeçe.
Ajo nën petkun e Policisë së Kosovës, duhet çdo ditë të dalë nga shtëpia para orës 7 e gjysmë dhe fillimisht të përmbush misionin e parë, duke dërguar fëmijët në shkollë e kopsht.
E pastaj detyrat zyrtare të ditës nisin një e nga një.
“Mëngjeset për mua janë të vështira, nga shtëpia duhet të dalim para orës 07:30. Dua e cila është dy vjeçe tani, mezi zgjohet nga gjumi, e kur ndodh që diçka nuk gjejnë fëmijët e mëdhenj Erza dhe Diari të gjithë thërrasin MAM!
Puna fillon duke lexuar dhe analizuar rastet të cilat raportohen brenda 24 orëve, takimet e mëngjesit me vartës, ndarja e prioriteteve, pranimi i urdhëresave nga niveli rajonal i policisë dhe raportimi në lidhje me gjendjen e sigurisë, rezultatet, sukseset, ngecjet dhe aktivitetet. Si komandant stacioni shumë nga palët (qytetaret të cilët kanë ndonjë problem) kërkojnë që të takohen me Ju, një fjalë e mirë, një dëgjim me vëmendje, si dhe një urdhër për ndërmarrjen e hapave konkret dhënë vartësve për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve i bën këta të fundit të ndihem me mirë dhe më të sigurt. Të gjitha këto punë, si planifikim, organizim, preventiv, hetime – zbardhje të rasteve, trafik, administrate, burime njerëzore, zhvillimi i bashkëpunimit me subjektet tjera komunale, qeveritare dhe joqeveritare, e shumë e shumë detyra të tjera, në aspektin menaxherial janë barrë e komandantit të stacionit”, thotë komandantja Hoti për FaktePlus.
Komandante në qytetin që çdo ditë po rritet
Të jesh komandante e stacionit Policor në Fushë Kosovë, në kohën kur ky qytet po rritet brenda ditës, nuk është e lehtë, mirëpo as kjo sfidë nuk e zmbraps komandanten Hoti, drejt qëllim kryesor që ka policia, mbrojtja e jetës, pronës e ofrimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Komandantja Hoti që nga vitit 2006 ka gradën e kapitenes, mirëpo për të arritur deri në këtë pikë, ajo është dashur të kalojë në disa detyra të tjera.
“Jam pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2000. Gjatë karrierës sime në këtë institucion kam punuar kryesisht në punë operative, por pa i anashkaluar edhe punët administrative, duke filluar si police patrullues – Stacion Policor, mbikëqyrës ndërrimi, Njësia e Trafikut Rajonal – Prishtinë, Hetues në Njësinë e Standardeve Profesionale, Shef i Shërbimeve Administrative në Drejtorin Rajonale të Policisë Prishtinë, e prej këtyre 18 viteve, 9 vite në periudha kohore të ndryshme, kam punuar në pozitën e komandantit të Stacionit Policor, në Stacionet Policore Fushë Kosovë dhe Veri, Prishtinë”, tha kapitenia Hoti.
Ajo tani është edhe nënkryetare e Shoqatës së Grave Police, pozitë kjo që siç thotë për ne komandantja Hoti, donë angazhim dhe përkushtim shtesë, me qëllim të fuqizimit të rolit të grave police.
Komandantja me shumë medalje e çmime
Komandantja Vjollca Hoti me shumë krenari e mban në sirtarin e saj të punës medaljet që ka fituar përgjatë këtyre 18 viteve sa është pjesë e Policisë së Kosovës.
Mirëpo ajo veçon katër nga to si më të rëndësishmet:
“Medalje për shërbime me besnikëri, 2010, dhënë nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë, shpërblim që i jepet zyrtarit aktiv të Policisë së Kosovës për shërbim të devotshëm për një periudhë dhjetëvjeçare apo më shumë dhe i cili ka treguar profesionalizëm në punën e tij, ka vlerësim dhe performancë të mirë dhe që nuk është i ndëshkuar me masë të rëndë disiplinore;
Medalje Policore për Lavdim, Dhjetor 2011, dhënë nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë, shpërblim që i jepet zyrtarit aktiv të Policisë së Kosovës për trimëri të jashtë zakonshme gjatë kryerjes së detyrës policore duke ven në rrezik edhe jetën në shërbim të paqes dhe mirëqenies së popullit të Kosovës;
2015 IAWP Medal of Valor Award (Medalje për trimëri), Shoqata Ndërkombëtare e Grave Police, për përballje dhe menaxhim të incidentit me rrezikshmëri të lartë, ku gjatë reagimit se bashku me dy koleg të tjerë rreshter Fahrije Lutfiu dhe policin Shaban Nikqi kemi arrit që të shpëtojmë jetë të personave.
Medalja Presidenciale e Meritave, për kontributin e dhënë në fushën e Sigurisë, Shkurt 2016, Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga”, thotë Hoti.
Siguria e qytetarëve, sfida që përcjell çdo ditë në 24 orë
Sapo të nis dita, nga takimi i mëngjesit e deri në realizimin e planeve operative fillojnë të paraqiten sfidat, e pengesat, por që asnjëherë nuk janë të patejkalueshme për komandanten Hoti.
Trafiku i stërngarkuar në Fushë Kosovë, aksidentet e shumta që ndodhin në këtë rrugë magjistrale që lidh Prishtinën me Pejën, bëjnë që stresi e ngarkesa të rritet nga çasti në çast.
“Trafiku i tej ngarkuar në Fushë Kosovë është një nder sfidat tjera, sipas statistikave të siguruara nga komuna e Fushë Kosovës, vetëm në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë dhe anasjelltas, e cila rrugë kalon në mes të qytetit të Fushë Kosovës, brenda 24 orëve lëvizin rreth 74 000 automjete, e si pasoj kemi kolona të gjata të automjeteve, kundërvajtje të ndryshme si dhe aksidente”, theksoi Hoti.
Jo më pak sfiduese dhe e rëndësishme për të është mirëqenia e policive, shëndeti dhe përkrahja në punën që bëjnë.
Ajo tregon se këtë vit që e lamë pas 13 zyrtarë policorë janë lënduar në detyrë.
“Mirëqenia e policëve me të cilët punoj është po ashtu sfidë, shëndeti i tyre, përkrahja e tyre. Gjatë vitit që po lemë pas 2018, trembëdhjetë (13) zyrtarë policorë të stacionit janë lënduar në detyrë. Të gjitha këto lëndime kanë ardhur si pasoj e reagimit të tyre në incidente, sulmeve ndaj personave zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare, ndalja dhe arrestimi i personave të dyshuar etj. Fatmirësisht asnjë zyrtar policor nuk ka qen i lënduar rëndë në rrezik për jetën”, theksoi ajo.
Duke qenë gruan, ajo nuk mundet assesi të lërë anash koleget e saj, por përkundrazi, prioritet ka që siç thotë ajo “vajzat e gratë, të edukuara, mjaft profesionale dhe shumë punëtore, t’i identifikoj e t’i përkrah në ndërtimin e karrierës.
Dashuria për profesionin dhe familjen
“E dua familjen time si dhe profesionin të cilin e punoj”, thotë komandantja Hoti.
Ajo tregon momentin më të mirë që ka përjetuar gjatë këtij viti, ku pas raportimit se një vajzë 13 vjeçare ishte zhdukur, për një kohë të shkurt policia kishte arritur ta gjente.
“Në muajin nëntor 2018 ishte raportuar nga prindi zhdukja e vajzës 13 vjeçare, e cila iu kishte len një letër familjareve se dëshironte të largohet nga shtëpia. Policet e stacionit policor Fushë Kosovë në bashkëpunim me stacionet tjera të Drejtorisë Rajonale të Policisë Prishtinë, në kohë rekorde pas raportimit të rastit në polici (afërsisht 2 orë) kemi arritur që të gjejmë vajzën e humbur. Radiokomunikuesi i stacionit më njofton, kur e thirrem babën e vajzës në telefon për ta informuar se e kemi gjetur vajzën tuaj dhe se gjendja e saj shëndetësore është e mirë, ai nuk iu besonte fjalëve tona, ai bërtitke, qajke me zë, nga stresi. Ky prind pastaj erdhi përsëri në stacion dhe na falënderoi”, ndan për lexuesit tonë këtë moment kapitenia Hoti.
Kur stresi dhe ngarkesa largohen nga dashuria e familjes
Sado e lodhur të jetë Hoti kur shkon në shtëpi, gjen familjes e saj, e cila si çdo familje tjetër të dhuron ngrohtësi dhe dashuri që duhet për të vazhduar tutje.
“Në shtëpi sado që jemi të lodhur apo të dërmuar nga stresi, ngarkesat që ka puna e jeta, familja të fal ngrohtësi, të detyron të aktivizohesh përsëri. Mbështetja e bashkëshortit, mirësia, urtësia dhe butësia e Erzës, matematika dhe përqafimet e Diarit i cili veç sa ka hyrë në moshën e adoleshencës, kërkesat e belbëzimet e Duas që tanimë flet çdo fjalë, e cila ka ndryshuar ritmin familjar, e të gjithë jemi të zënë me të, na plotësojnë jetën tonë dhe na japin vullnet e kurajë që të vazhdojmë tutje”, përfundon rrëfimin komandantja Hoti./FaktePlus