Sa e deklaruan pasurinë dhe deri kur shtyhet afati për zyrtarët e lartë të shtetit
Në fillim të muajit mars ka nisur procesi për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, e ku mijëra të tillë nga niveli më i lartë e tek ai më i ulëti, janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Janë gjithsej 4 mijë e 694 zyrtarë të cilët janë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
E për shkak të pandemisë, dorëzimi i formularëve që disa ditë ka nisur dhe është bërë përmes postës elektronike.
Madje për shkak të gjendjes së krijuar nga Koronavirusi, do të shtyhet edhe afati për deklarimin e pasurisë.
Këtë e ka bërë të ditur për FaktePlus vetë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Shaip Havolli.
“Për shkak të Pandemisë, Agjencia Kundër Korrupsion ka vazhduar me punën sa i përket pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë, por kryesisht këtë e ka bërë vetëm në mënyrë elektronike. Iu kemi bërë apel gjithë zyrtarëve të lartë që t’i ikin mënyrës për dorëzimin e formularëve fizikisht. Deri më tani kemi pranuar një numër të madh të formularëve nëpërmjet infos në Agjencinë Kundër Korrupsion. Kemi njoftuar gjithë zyrtarët që afati i deklarimit të pasurisë do të shtyhet për një periudhë të caktuar varësisht edhe kur përfundon situata e pandemisë. Pas 31 marsit do të shtyhet afati për deklarimin e pasurisë. Por ende nuk e dimë se si do të vijohet për shkak të pandemisë, por pas kësaj do të vendosim një afat kohor dy apo tre javë dhe do të njoftohen gjithë zyrtarët e lartë”, tregon Havolli.
Mënyra e dorëzimit të formularëve përmes postës elektronike nuk ka paraqitur telashe për deklarim të pasurisë. Por megjithatë, Havolli tha për FaktePlus se disa zyrtarë të lartë nuk kanë pasur mundësi të marrin informacione nëpër zyrat kadastrale.
“Nuk ka pas telashe për deklarimin e pasurisë në mënyrë elektronike. Por problem ka qenë tek disa zyrtarë të lartë sepse nuk kanë pas mundësi me i marr disa informacione nëpër zyra kadastrale, në administratën tatimore. Po ashtu në banka komerciale, po ashtu që nuk kanë pas mundësi të gjithë me i paraqitë pasurinë sepse kanë pas mungesë të informacionit”, shpjegoi Havolli.
E deri më tani janë rreth 1 mijë e 500 zyrtarë që punojnë në institucione që kanë bërë deklarimin e pasurisë.
Ndërkaq, në vitin 2018-të kanë qenë të obliguar që ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre 4 mijë e 737 zyrtarë publik. Nga ky numër i përgjithshëm, pasurinë e kanë deklaruar 4 mijë e 660 zyrtarë që i bie 98.37 % , kurse 77 persona që janë në detyrë zyrtare e që kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, nuk e kanë deklaruar.
Veç këtyre, janë 46 zyrtarë që pasurinë e kanë deklaruar pas afatit, 25 nuk kanë deklaruar pasurinë, si dhe 5 nuk kanë deklaruar pasurinë me arsye.
Rrjedhimisht, zyrtarët publikë kanë afat të dorëzojnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion brenda 1 muaji që është 1 deri më 31 mars./FaktePlus